Foto: Ilustrim

Droga në Shkolla, 23 të Arrestuar për një Javë

Policia e Kosovës në funksion të zbatimit të urdhrit operativ “Stop drogave në shkolla” gjatë periudhës kohore nga 16.10.2017 deri më 22.10.2017 ka realizuar aktivitetet e saja policore si ne fushën e parandalimit po ashtu edhe në fushën operacionale.

Me këtë rast, Policia njofton se ka realizuar vizita dhe kontakte me personelin e shkollës, në bashkëpunim me institucionet tjera relevante janë mbajtur ligjërata, janë shpërndarë fletushka dhe janë angazhuar zyrtarë policorë për patrullime rreth shkollave.

Në fushën operacionale janë kontrolluar persona të cilët kanë  frekuentuar në zonën e sigurisë 300 m rreth shkollave. Po ashtu, janë kontrolluar vetura, lokale dhe vende tjera të dyshuara.

Sipas Policisë për periudhën raportuese janë realizuar: 195  vizita dhe kontakte me personelin e shkollave, 418  patrullime rreth shkollave, 498 persona të kontrolluar, 220 vetura të kontrolluara, 8 lokale të kontrolluara, 10 ligjërata në shkolla, 450 pjesëmarrës, nxënës, e janë shpërndarë 500 fletushka.

Si rezultat i angazhimit të shtuar janë iniciuar 20 raste dhe janë arrestuar 23 persona (12 shpërndarës droge e 11 konsumues).

Ndërkaq, janë konfiskuar: 831.2 gramë marihuanë ( 17.52 gr afër shkollave, 813.68 gr në realizim të planit), 1,2 gr kokainë dhe 799,6 euro.

Bazuar në të dhënat statistikore dhe aktivitetet në teren vërehet se numri më i madh i rasteve është iniciuar në perimetrin e sigurisë prej 300 m rreth shkollave si në parqe, rrugë e hapësira të tjera.