Presidenti Thaçi dekoron trajnerin e xhudos Driton Kuka me Medaljen Presidenciale të Meritave - Foto: Presidenca e Kosovës

Driton Kuka Dekorohet me Medaljen Presidenciale të Meritave

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për kontributin e veçantë në sport, trajnerin e xhudos Driton Kuka e ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave.

Presidenti Thaçi ka thënë se puna e trajnerit Kuka dhe sukseset e xhudistëve kanë forcuar imazhin dhe identitetin shtetëror të Kosovës.

“Z. Kuka ka realizuar ëndrrën e shumë nxënësve, shumë studentëve, shumë sportistëve. Edhe suksesi i jashtëzakonshëm dhe historik i Majlindës ndërlidhet drejtpërdrejtë me punën, kreativitetin, shkathtësitë dhe aftësitë e Driton Kukës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Sipas një komunikate të Presidencës, Thaçi ka përmendur edhe dy momente emocionuese që ka pasur me Kukën dhe Majlindën në Lojërat Olimpike në Londër dhe Rio.

http://kallxo.com/ar-linda/

“Kemi pasur momente të hidhërimit në Londër, por në të njëjtën kohë kemi pasur edhe momente të gëzimit të jashtëzakonshëm në Rio kur Kosova u bë e njohur edhe botërisht me fitoren e Medaljes së Artë. Asaj fitore, një fuqi të jashtëzakonshme i ka dhënë Driton Kuka”, u shpreh presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, trajneri i xhudos Driton Kuka, ka thënë se është pikërisht pjesëmarrja e përbashkët në dy lojëra olimpike, në Londër dhe në Rio, që ka krijuar një relacion edhe zyrtar, por edhe emocional me presidentin Thaçi.

“Kemi qenë të thyer pak shpirtërisht edhe unë, edhe Majlinda, por pikërisht prezenca e kryetarit Thaçi në mbrëmjen e asaj dite kur ne kemi garuar në Londër, ka qenë një motiv, një mbrëmje e ngrohtë, e cila na ka mbush atë pjesën e thyerjes shpirtërore”, ka thënë Kuka.

Jeta në Kosovë interviston Majlinda Kelmendin

Por, sipas trajnerit Kuka, në mënyrën më të mirë në Rio, xhudoja ia ka sjell popullit të Kosovës fitoren e artë të Majlindës.

Trajneri Driton Kuka, i cili në takim me presidentin Thaçi ishte i shoqëruar edhe nga kampionia botërore Majlinda Kelmendi, ka premtuar se do të angazhohet për nxjerrjen e rezultateve të tjera, kampionëve të rinj, duke e bërë kështu shtetin tonë edhe më të fuqishëm në disiplinën sportive të xhudos.

Presidenti Thaçi i ka njoftuar ata se do të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që trajneri Driton Kuka, kampionia Majlinda Kelmendi dhe Kryetari i Federatës së Xhudos të pajisen me pasaporta diplomatike.

http://kallxo.com/kuvendi-nuk-e-fton-majlinda-kelmendin-per-seancen-e-pavaresise/