Dritaret e Banjove, Shkak i Problemeve Mes Miqve

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit është mbajtur seanca gjyqësore ku të akuzuar janë Ahmet e Bekim Elshani.

Që të dy akuzohen për kanosje ndaj të dëmtuarit Kadri Muqa, me të cilin janë në lidhje familjare. I akuzuari i parë është dhëndri i të dëmtuarit, ndërsa i akuzuari i dytë është nipi.

Sipas aktakuzës së prokurorisë së shtetit, për shkak të një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor, të pandehurit kanosur të dëmtuarin. “Nëse nuk i mbyllë dritaret e shtëpisë, do ta lë xhenazen pranë shtëpisë tënde, kam me të vra. Këto fjalë tek i dëmtuari në vazhdimësi kanë shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri”, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza i ngarkon Ahmet e Bekim Elshanin edhe për veprën penale të asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë, për shkak se ata “i kanë dëmtuar derën e hyrjes së shtëpisë së të dëmtuarit dhe një pjesë të mermerit para hyrjes së shtëpisë”.

Të akuzuarit, para gjykatës janë deklaruar të pafajshëm.

I dëmtuari Kadri Muqa, i dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit, tha se sapo ishte tkhyer nga Zvicra, nipi i tij Bekim Elshani i kishte dalë para veturës atij bashkë me mikun e tij Bekim Xhaferin.

“Bekim Elshani doli edhe i mëshoi kerrit me dorë, edhe Bekim Xhaferit i thotë ty kam me të mytë, ndërsa mu më thotë se ti ke me më njoftë se kësaj shpije kurrë hajrin s’ ke me ja pa”, tha Muqa në gjykatë.

Gjatë dëshmisë së të dëmtuarit pati reagime nga palët që ishin në publik, saqë gjyqtarja u detyrua që ta ndërpresë seancën për 15 minuta për të vazhduar pasi palët u qetësuan.

Sipas të dëmtuarit, i tërë sherri filloi me ndërtimin e tij në fqinjësi me të pandehurit, në të cilën kishte investuar rreth 600 mijë euro. Ai tha se të pandehurit kanë kërkuar t’i mbyllin dritaret e banjove, të cilat tha se i kishte mbyllë ngase nuk kanë qenë në planin e shtëpisë.

Edhe pas mbylljes së dritareve të banjos, Muqa tha se problemet kanë vazhduar edhe me kërkesën për mbyllje të dritareve të garazhës të cilat gjithashtu i kishte mbyllur.

Për shkak të problemeve të vazhdueshme, i dëmtuari tha se kishte vendosur kamera sigurie në shtëpinë e tij. Por Muqa tha se njëra nga kamerat e sigurisë bashkë me derën e hyrjes dhe një pllakë mermeri ishin dëmtuar.

I dëmtuari tha se problemet dhe kanosjet nga të pandehurit kishin vazhduar.

Seanca e radhës ku do të vazhdohet me marrjen në pyetje të dy dëshmitarëve do të mbahet më 6 mars.