Ndeshja Prishtina - Drita - Foto: KALLXO.com

Drita është kampioni i ri i Kosovës në futboll

Ka përfunduar ndeshja Prishtina-Drita, e cila e përcaktonte kampionin e Superligës së Kosovës.

Ndeshja përfundoi me rezultat të barabartë 0 me 0.

Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Shahin Haxhiislami” të qytetit të Pejës.

Ndeshjen e gjykuan, Fatmir Tahiri nga Mitrovica, si dhe Edmond Zeqiri, Fatmir Sakiraqa e Selim Isufi nga Podujeva.

Loja ishte gati e barabartë.

Prishtina e përfundoi ndeshjen pa dy lojtarë, Debatik Currin dhe Dallkun, të cilët u ndëshkuan me kartonë të kuq.

Drita ka plotë 28 ndeshje radhazi pa humbje duke i prirë tabelës me 66 pikë të grumbulluara në 32 ndeshje. Përderisa ekipi i Prishtinës ka grumbulluar 63 pikë dhe radhitet e dyta në tabelë pas Dritës.

Drita e Gjilanit momentalisht është në vend të parë me 3 pikë më shumë sesa rivali direkt për titull, Prishtina.

Drita shpallet kampion me fitore, barazim apo edhe nëse humb me një gol diferencë, ndërsa Prishtinës i duhet fitorja me dy e më shumë gola diferencë që të shpallet kampion i Kosovës në futboll.

Kjo matematikë është për shkak se në dy ndeshjet e para ndërmjet këtyre dy klubeve, Drita ka një fitore si mysafir dhe një barazim si vendas.

Drita ka shënuar fitore si mysafire e Prishtinës me rezultat 0:1, ndërsa ndeshja e dytë në Gjilan ka përfunduar 0:0. Ndërsa ndeshjen e tretë, Prishtina llogaritet si vendas dhe për shkak të humbjes së parë si vendase, tani i duhen dy e më shumë gola që të shpallet kampion.

Ekipi i Prishtinës është vendas në këtë ndeshje kështu që tifozëve të tyre i janë ndarë një numër më i madh i biletave.

Ekipi i Dritës është shpallur kampion i Superligës së Kosovës, vetëm një herë, në sezonin 2002-2003.

Ekipi i Prishtinës, është shpallur plot gjashtë herë kampion që nga vitit 1999, duke u bërë ekipi me më së shumti tituj kampion në Kosovë. Prishtina ka qenë kampion në sezonin 2003-04 dhe dy herë fitoi dy tituj me radhë, në vitet 2007-08, 2008-09 dhe 2011-12, 2012-13.