Hani i Elezit

‘Dreka e Fundit’ e Komunës së Hanit të Elezit

Komuna e Hanit të Elezit vendosi ta qerasë vetveten me një drekë përmbyllëse për punën katërvjeçare të saj.

Dreka që kushtoi 600 euro u shtrua për asamblistët, drejtorët dhe personelin e Zyrës së Kryetarit.

Njoftimin për nënshkrimin e kontratës në lidhje me “Furnizim me Drekë për Asamblistët, Drejtorët dhe Zyrën e Kryetarit” Komuna e Hanit të Elezit e publikoi në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Komuna sqaroi për KALLXO.com se dreka u shtrua nga Zyra e Kryesuesit të Kuvendit.

“Aktiviteti i prokurimit me titull ‘Furnizim me Drekë për Asamblistët, Drejtorët dhe Zyrën e Kryetarit’ është realizuar nga Zyra e Kryesuesit të Kuvendit të komunës pas përfundimit të seancës së fundit të kësaj përbërje të kuvendit të komunës”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Më tutje në përgjigje u bë i ditur edhe qëllimi i drekës.

“Dreka e organizuar ka pasur për qëllim falënderimin e kryesuesit të kuvendit për anëtarët e kuvendit dhe ekzekutivin për punën e përbashkët katërvjeçare”, shpjegoi Komuna e Hanit të Elezit.

Sipas komunës, në drekë morën pjesë kryetari i komunës, asamblistët, drejtorët e drejtorive dhe stafi përcjellës i kuvendit të komunës.

Për këtë drekë komuna thotë se u shpenzuan 600 euro, ndërsa mjetet u siguruan nga kategoria mallra dhe shërbime e buxhetit komunal.

“Mjetet për realizimin e këtij aktiviteti të prokurimit me titull ‘Furnizim me Drekë për Asamblistët, drejtorët dhe ne Zyrën e Kryetarit’ janë siguruar nga buxheti i Kuvendit të Komunës nga kategoria mallra dhe shërbime në vlerë prej 600 €” thuhet në përgjigje.

Vitin e kaluar komuna kishte furnizuar me kalendarë dhe lapsa kimikë zyrtarët e saj, por edhe mësimdhënësit e shkollave dhe personelin shëndetësor, por këta kalendarë ishin shpërndarë me vonesë.

http://kallxo.com/989-euro-per-kalendaret-e-vonuar-te-hanit-te-elezit/

Komuna Hani i Elezit që nga viti 2010 është komunë me kompetenca të plota dhe për dallim nga komuna tjera për dy mandate radhazi udhëhiqet nga kandidati i pavarur.

Komuna ka një buxhet rreth 2.4 milionë euro për 2017-ën, ku pjesa më e madhe e buxhetit shkon për paga dhe mëditje- 1.4 milionë dhe shpenzime kapitale 736 mijë euro.

Sipas raportit të Institutit GAP, komuna ka shënuar rekord të mbledhjes së të hyrave për katër vjetët e fundit. Në 2016-ën komuna mblodhi 251 mijë e 831 euro, përderisa vlera më e ulët e këtyre të hyrave ishte në 2015-ën.

Nga viti 2013 deri në 2016-ën rezulton se komuna ka mbledhur të hyra vetanake mesatarisht prej 234.5 mijë euro në vit.

Sipas një hulumtimi 71.02 për qind të të anketuarve ishin të kënaqur më punën e pushtetit lokal në vitin 2015, për dallim nga hulumtimi i vitit 2012 kur kënaqshmëria pësoi rënie të lehtë.  Në vitin 2012 kënaqshmëria qytetare me qeverisjen lokale ishte 86.9 për qind.

Komuna e Hanit të Elezit është ndër më të asfaltuarat në Kosovë, në anën tjetër ka probleme me ndotje të ambientit, mbeturina, si dhe mungesë uji.