Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Drejtuesit e Qeverisë dhe KEK-ut Diskutojnë për Krizën Energjetike

Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, zhvilloi sot një takim pune me ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci dhe drejtorin menaxhues të Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj, ku u diskutua për tejkalimin e vështirësive me të cilat pritet të ballafaqohet vendi, për prodhimin e energjisë elektrike.

Bartësit e këtyre institucioneve u zotuan se do të përshpejtojnë të gjitha veprimet në fushëveprim të tyre për të adresuar dhe zgjidhur sa më shpejt të gjitha problemet në mënyrë që pengesat pronësore dhe të ndërtimeve pa leje në terren, të mos vënë në rrezik prodhimin e energjisë elektrike, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

“Pritet që qytetarët, të cilat kanë prona në atë pjesë, të bashkëpunojnë me KEK-un dhe institucionet shtetërore, për të hapë rrugë që vendi të mos vjen në rrezik rreth energjisë elektrike, duke përfituar të gjitha të drejtat që atyre u takojnë. Prandaj, pengesat e përkohshme, vetëm sa mund ta dëmtojnë vendin dhe të krijojnë obligime të paparashikueshme të importit të energjisë elektrike”, thuhet në komunikatë.

Kjo çështje do të diskutohet edhe në mbledhjen e nesërme të Qeverisë, ku do të kërkohet edhe angazhimi i institucioneve tjera emergjente dhe të sigurisë për të evituar çdo rrezik eventual.

Ndërsa, dje, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, tha se rezervat e thëngjillit janë në fund, duke paralajmëruar për rrezikun e prodhimit të energjisë elektrike.

http://kallxo.com/gjukaj-rezervat-e-qymyrit-ne-ditet-e-fundit/