Drejtori i SHSKUK, Basri Sejdiu, duke raportuar në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi. Foto: Kallxo.com

Drejtori Pyetet nga Deputetët për Barnat e Mantelet që Mungojnë në QKUK

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Punë e Mirëqenie Sociale u interesuan të dinë sot nga Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Basri Sejdiu, për gjendjen në institucionet shëndetësore publike.

Në raportimin para Komisionit, Sejdiu tha se prioritet i SHSKUK-së është çështja e emergjencës dhe mjekimi intensiv ndërsa foli edhe për rritjen e shërbimeve tjera brenda hapësirave të QKUK-së.

“(Është bërë) aktivizimi i shërbimeve kardiokirurgjike dhe kirurgjia invazive. Kemi fillu trajtimin 24 orë të infarktit, ofrime shëndetësore urgjente. Edhe në Onkologji kemi fillu shërbimin 24 orë”, tha Basri Sejdiu.

Por anëtarja e këtij komisioni, Besa Baftiu nga Vetëvendosje, e pyeti Sejdiun se çka po ndodh me furnizimin me barna nga lista esenciale.

“Pse nuk ka insulinë, barna për leukemi, çka është bërë sa i përket riorganizimit për hapësirat brenda QKUK-së. Revidimi i listës esenciale ka fillu por sa janë të kyçur njerëz profesionistë. A ka pjesëmarrës profesionistë prej reparteve?”, ka pyetur deputetja Baftiu.

Edhe Haxhiu Avdyli i LDK-së u interesua për çështjen e furnizimit me barna.

“Së paku disa gjërat më elementare t’i siguroni dhe mos të ketë mungesa. Sallat e operacionit po funksionojmë me vështirësi, pacientët po blejnë edhe mantela për mjekë. Për pritjet e gjata çka do të bëni?”,  tha Haxhi Avdyli.