Drejtori e Asambleisti nën Akuzë për Mosdeklarim të Pasurisë

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër S.K., drejtor i Inspeksionit në Komunën e Suharekës dhe V.K., asambleist në Asamblenë Komunale të Prizrenit për mosdeklarim të pasurisë.

Sipas aktakuzës, ata akuzohen se nuk e kanë bërë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dobisë së tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, duke mos i paraqitur brenda afatit për paraqitjen e deklaratës për periudhën e vitit 2016, edhe pse këtë është dashur ta bëjnë deri më 31 mars të këtij viti.

Prokuroria thotë se ata nuk e kanë deklaruar pasurinë edhe pse kanë qenë të njoftuar nga ana e Agjencionit Kundër Korrupsionit se duhet ta bëjnë këtë.

Sipas Prokurorisë, dy të akuzuarit me këto veprime kanë kryer veprën penale mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.