Drejtori i Arsimit në Suharekë Sërish në Gjykatë

Sherif Berisha, drejtori i Arsimit në Suharekë po akuzohet se dëmtoi kandidatët e një konkursi duke mos vepruar sipas rekomandimit të Inspektoratit të Arsimit në Prizren.

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Suharekë Sherif Berisha të mërkurën u paraqit në Gjykatën Themelore të Prizrenit nën akuzën për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

NDËRLIDHUR

Berisha akuzohet se prej datës 13 nëntor 2015 e në vazhdim në Suharekë në cilësi të personit zyrtar nuk ka vepruar sipas rekomandimit të sektorit të Inspeksionit të Arsimit në Prizren në lidhje me anulimin e konkursit të datës 21 gusht 2015.

Prokuroria në aktakuzë tregon se për çfarë ishte hapur ky konkurs.

“Konkurs ky i shpallur për rekrutimin e stafit të mësimdhënësve për Shkollën e Mesme Profesionale ‘Abdyl Rama’ në Shirokë dhe rishpalljen e konkursit në po të njëjtën shkollë në afat prej 8 ditësh, me ç’rast seriozisht i shkel të drejtat e kandidatëve të tjerë që kanë konkurruar në konkursin me nr. 05 nr.268, me çka ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në aktakuzën e prokurorisë.

Në shqyrtimin fillestar i pandehuri Sherif Berisha nuk pranoi fajësinë.

Brahim Sopa, avokati i drejtorit Sherif Berisha tha se gjykata ka refuzuar kërkesën e tij për hedhje poshtë të aktakuzës

“Kërkesën, gjykata e ka analizuar dhe e ka hedhur për momentin, mirëpo ne nuk e kemi apelu në Gjykatën e Apelit me arsyetimin se vetëm do të zvarritej procedura dhe konsiderojmë se në përfundim epilogu do të jetë ku drejtori i DKA-së në arsim do të shpallet i pafajshëm, sepse nuk ka prova që e mbështesin një dyshim të bazuar se ka kryer veprën penale”, tha avokati Sopa.

Seanca e shqyrtimit kryesor të kësaj lënde u caktua më 5 prill 2017.

Drejtori i Arsimit në Suharekë, Sherif Berisha, njëkohësisht është duke u gjykuar edhe për një rast tjetër për punësim pa konkurs nëpër shkolla të ndryshme në Suharekë të nëntë mësimdhënësve dhe një kontabilisti.

http://kallxo.com/drejtori-arsimit-akuzohet-se-punesoi-10-veta-pa-konkurs/

02 Mars 2017 - 22:08

Petrit Kryeziu 02/03/2017 - 22:08
NDËRVEPRIMI0

Drejtori i Arsimit në Suharekë Sërish në Gjykatë

by Petrit Kryeziu
NA NDIQNI

Send this to a friend