Drejtori i Arsimit Akuzohet se Punësoi 10 Veta Pa Konkurs

I akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe për cenim të të drejtave të punësimit, drejtori i Arsimit i Komunës së Suharekës, Sherif Berisha, edhe sot u deklarua i pafajshëm.

Para mbajtjes së shqyrtimit të dytë gjyqësor, avokati Brahim Sopa kishte dorëzuar në Gjykatën e Prizrenit kërkesë me shkrim për hedhjen poshtë të aktakuzës, të cilën e elaboroi edhe gojarisht.

“Aktakuza e Prokurorisë të hedhet poshtë në mungesë të provave. Këtë e mbështesë nga provat që gjenden në shkresat e lëndës, ku konsideroj se asnjë provë nuk e ka një bazë të mjaftueshme dhe të argumentueshme që i mbrojturi im ta ketë kryer veprën penale që pretendon Prokuroria”, tha avokati Sopa.

Ndërsa, prokurori Mehdi Sefa , e kundërshtoi propozimin e mbrojtjes duke theksuar se aktakuza është e bazuar në prova të mjaftueshme.

“Kërkoj nga Gjykata që kërkesën për hedhjen e aktakuzës me vendim ta refuzon si të pabazuar në dispozitat ligjore dhe në këtë çështje penale të caktohet shqyrtimi kryesor. Të gjitha këto prova të administrohen dhe të merret një vendim në të ardhmen”, tha prokurori.

Gjyqtarja e rastit njoftoi se shqyrtimi kryesor do të caktohet pas marrjes së vendimit me shkrim në lidhje me propozimin për hedhje të aktakuzës.

Sipas aktakuzës, Sherif Berisha akuzohet se gjatë viteve shkollore 2014/2015 dhe 2015/2016, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, në atë mënyrë që punëson pa konkurs nëpër shkolla të ndryshme në Suharekë nëntë mësimdhënës dhe një kontabilist.

Drejtori i Arsimit po ashtu akuzohet edhe për kryerje të veprës penale – cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë, sepse ua ka mohuar personave të tjerë të drejtën për punësim në kushte të njëjta.

http://kallxo.com/padit-komunen-e-suharekes-kerkon-anulimin-e-konkursit/

http://kallxo.com/punesim-ne-kundershtim-me-ligjin-i-mesimdheneses-ne-suhareke/