Gjykimi i drejtoreshës së barnatores | Foto: KALLXO.com

Drejtoresha nuk Ndihet Fajtore për Tenderin e Barnave

Drejtoresha e Barnatores Qendrore në QKUK Enkelejda Gjonbalaj u deklarua e pafajshme lidhur me tenderin e barnave për të cilin po akuzohet.

“Unë nuk kam propozuar asnjë produkt si kryesuese, por propozimet e dhëna nga kolegët i kam mbështetur dhe i kam dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë, propozimet të cilat ishin të bazuara në hulumtimet dhe të dhënat shkencore. Nuk e ndiej veten fajtore”, tha Gjonbalaj.

Ajo deklaroi në gjykatë se pozita e saj ishte e ëmbël për dikë dhe për këtë arsye tha se ndodhej në bankën e të akuzuarve.

“Ndoshta pozita ime ishte me e ëmbël për dikënd që bëri që të krijohet kjo situatë e tillë dhe në mesin e 7 anëtarëve të komisionit zgjodhën të me akuzonin mua”, tha Gjonbalaj.

Sipas aktakuzës, Gjonbalaj në cilësinë e personit zyrtar si drejtoreshë e Barnatores Qendrore në QKUK në Prishtinë, si dhe kryesuese e grupit punues për ndryshimin dhe plotësimin e listës esenciale me preparate mjekësore, ka zëvendësuar dy produkte mjekësore, me një produkt tjetër më të shtrenjtë.

Gjonbalaj akuzohet se me qëllim të përfitimit për vete dhe operatorin ekonomik “Global Pharm” i ka hequr nga lista esenciale e barnave produktet mjekësore ondansetron dhe granisteron, të cilat në treg kanë pasur çmim shumë më të vogël.

Këto produkte i ka zëvedësuar me produktin tjetër palonosetron, i cili në treg ka pasur vlerën prej 77.99 eurove.

Gjonbalaj ngarkohet se përveç që e vendosi në listë produktin e shtrenjtë, atë e futi në rangun e citostatikëve-barnave që lehtësojnë sëmundjen e kancerit, edhe pse ky bar përdoret vetëm për të vjellat që shkaktohen nga kjo sëmundje.

Për futjen e palonosetron-it në listën esenciale të barnave, aktakuza konstaton se Gjonbalaj nuk u konsultua me onkologët-ekspertët mjekësorë që luftojnë kancerin.

Në muajin qershor pritet të jepet fjala përfundimtare.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/tenderi-1-1-milionesh-i-ministrise-se-shendetesise-ne-gjykate/

http://kallxo.com/deshmia-per-tenderin-1-1-milionesh-te-msh-se/

http://kallxo.com/gjykimi-drejtoreshes-per-tenderin-e-shtrenjte-te-barnave/