Drejtësia Para Gjyqit

Pas Këshillit Prokurorial, problemeve nuk i ka shpëtuar as Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Siç transmetoi emisioni Drejtësia në Kosovë, kontestimi i mandatit të kryesuesit të KGJK-së, Enver Peci dhe anëtares Valdete Daka nga ana e Gjykatës Supreme të Kosovës ka ngjallur reagime të ashpra. Vendimi i Supremes për t’i dërguar në Gjykatën Kushtetuese mandatet e Pecit dhe të Dakës, nga këta të fundit është cilësuar si shantazh dhe veprim për interesa personale të grupeve të caktuara.

Enver Peci, në emisionin Drejtësia në Kosovë, ka deklaruar se veprimet e Gjykatës Supreme janë presion, pasiqë dikujt nuk po i konvenon që ai të jetë në Këshillin Gjyqësorë të Kosovës.

“I shoh një lloj presioni, në lloj shantazhi. Ndoshta nuk po i konvenon interesave të dikujt që me qenë ne anëtarë të Këshillit Gjyqësorë të Kosovës”, ka thënë Peci.

Ai ka shtuar se situata e krijuar së fundmi në Këshillin Gjyqësor, por edhe në Këshillin Prokurorial është për keqardhje.

Valdete Daka deklaroi për emisionin Drejtësia në Kosovë se të gjitha veprimet e fundit që janë marrë ne kolegjin e Gjykatës Supreme të Kosovës janë veprime për të shuar apetitet personale të gupeve dhe klaneve të caktuara.

Daka ka thënë se në mbledhjen ku është marrë vendimi që mandati i saj dhe i Enver Pecit të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese, qëllimisht nuk janë ftuar gjykatësit e EULEX-it.

Valdete Daka, gjykatëse e Supremes i ka thënë Emisionit “Drejtësia në Kosovë” se gjykatësit ndërkombëtarë nuk janë ftuar në takim me qëllim që atyre t’u mohohet e drejta për të shprehur mendimin e tyre dhe për të votuar.

Në anën tjetër, siç transmetoi Drejtësia në Kosovë, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, i ka quajtur të ulëta deklaratat e Enver Pecit dhe të Valdete Dakës.

Sipas tij, deklarata të tilla ngrisin dyshime edhe për mënyrën e zgjedhjes së Enver Pecit në vitin 2013-të në krye të KGJK-së.

“Nëse sot z. Peci po i konsideruaka shantazh veprimet e Gjykatës Supreme për të ushtruar një të drejtë legjitime të saj, atëherë shpreh dyshimin e thellë në mandatin e dytë të z. Peci në cilësinë e kryesuesit. Dhe i parashtroj pyetje se si u zgjodhe në vitin 2013”, ka thënë Hasani.