‘Drejtësia në Kosovë’ Shpërblehet me Çmim Kundër Korrupsionit

Hulumtimi i emisionit “Drejtësia në Kosovë” për miton në Gjykatën e Deçanit është shpërblyer sot me çmimin për storjen më të mirë televizive kundër korrupsionit të ndarë nga UNDP në Kosovë dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Hulumtimi që tregon praninë e mitos në gjykatat e Kosovës ka bërë që gjykatësja nga Deçani, Safete Tolaj, të arrestohej në ditën kur ishte paralajmëruar transmetimi i hulumtimit nga “Drejtësia në Kosovë”, ndërsa rasti aktualisht është në proces gjyqësor.

Në mesin e laureatëve të tjerë janë edhe Besnik Krasniqi nga Koha Ditore i cili ka fituar çmimin për storjen më të mirë hulumtuese për gazetë me një artikull rreth nepotizmit në punësimet e stafit diplomatik të Kosovës ndërsa Vehbi Kajtazi e Parim Olluri nga Insajderi janë shpërblyer për storjen më të mirë online për një hulumtim rreth dyshimeve për mashtrim me viza nga ana e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka dhe një hulumtimi tjetër rreth një biznesmeni të burgosur që fitoi tenderë nga burgu.

Besnik Boletini nga “Preportr” ka fituar çmimin për storjen më të mirë tematike me anë të një hulumtimi të titulluar “Rrafshojmë Male”.