Drejtësia në Kosovë me Detaje për Aksionin në Shtëpinë e Azem Sylës

Ekipi i Drejtësia në Kosovë ka filmuar hap pas hapi bastisjet e kryera nga EULEX dhe Policia e Kosovës në shtëpinë e Azem Sylës dhe të dyshuarve të tjerë të këtij rasti.

Në edicionin e së premtes emisioni ”Drejtësia në Kosovë” sjell një reportazh për historinë kriminale dhe dyshimet e prokurorisë për grupin ku bën pjesë edhe ish komandantit shtabit të përgjithshëm të UÇK-së dhe tashmë ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Azem Syla.

Hetues të EULEX-it gjatë këtij aksioni kanë folur për “Drejtësia në Kosovë” për arsyet e bastisjeve dhe mënyrën se si hetuesit dhe prokurorët arritën të sigurojnë provat për të kryer bastisje.

Në filmimet ekskluzive shikuesit mund të ndjekin mënyrën se si u planifikua dhe u zhvillua operacioni i cili u quajt edhe aksioni më i madh policor që nga paslufta.

Do të transmetohen edhe detajet për mënyrën se si policia u fut në shtëpinë e Azem Sylës dhe për arsyet se pse njësitë speciale u detyruan të thyejnë derën e shtëpisë. Detaje të tjera për bisedat që pati policia me Azem Sylën dhe reagimet e të arrestuarve të tjerë kur e kuptojnë arsyen e arrestimit mund t’i ndiqni sonte në RTK.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetohet çdo të premte në RTK në orën 21:20 dhe repriza të hënën në mesditë.