Drejtësia e Vonuar për Shukrie Berishën

Shukrie Berisha nga Prishtina është gruaja që kishte vendosur të qëndrojë në shtëpinë e burrit të saj të ndjerë duke i përballuar presionet e kunetërve për ta lëshuar shtëpinë.

Burri i saj Zeqiri, me të cilin nuk ka pasur fëmijë, kishte vdekur në vitin 2003 dhe që nga ajo kohë, Shukria ka vazhduar të jetojë e vetmuar.

Dy vjet më vonë, në vitin 2005, Shukria e kishte paditur kunatin e saj Adem Berishën, pasi që ku i fundit e kishte bartur pronën në emër të vetin, përfshirë edhe pjesën e shtëpisë ku zonja Berisha ka jetuar për 30 vite me burrin e saj.

Lënda e Shukrie Berishës ishte shëtitur nga një Gjykatë në tjetrën për 11 vite me radhë.

“Problemi im me gjykatë është me vite, prej viti 2004 që kunati i madh ka shkuar dhe e ka transferuar krejt pronën përmbi veti sepse ka thënë së ka drejtë së është djali me i madh i kësaj shtëpie dhe i takon. Pas vdekjes së burrit në vitin 2003 kam vazhduar të jetoi e vetme sepse nuk kemi pas fëmijë”, tha Shukrie Berisha për emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Ajo thotë se ka kërkuar nga drejtësia që t’ia njohë kontributin e saj dhe burrit tashmë të ndjerë në këtë pronë.

“Unë kam kërkuar një të dytën e shtëpisë dhe kontributin tim e të burrit sepse unë kam kontribuar këtu”, theksoi zonja Berisha.

Albana Kelmendi avokatja e zonjës Berisha tregon kronologjinë e kësaj lëndë dhe si ndodhi që gjykata mos ta përfundoi për 11 vite këtë lëndë.

“Kjo lëndë ka zgjatë shumë për arsye se ka shkuar në shkallën e parë është zgjedh, çështja ka shkuar me ankesë e palës së paditur z. Adem Berishës në gjykatën e Qarkut është kthyer në rigjykim dhe tash ka përfunduar “, tha Kelmendi.

“Drejtësia në Kosovë” pas aktgjykimit ka kontaktuar edhe më gjyqtarin e rastit Faton Bajrami i njëjti ka deklaruar së ka vendos në bazë të dispozitave ligjore dhe së i takon gjykatës së Apelit ti vlerësoi vendimet e shkallës së parë.

Përfundimisht pas 11 viteve pritje Gjykata Themelore e Prishtinës e shpalli aktgjykimin me datën 26.4.2016, me të cilin Shukrie Berishës iu njoh e drejta në pronësi në 1/10 e oborrit dhe 1/6 e shtëpisë.

Shukrie Berisha tash me aktgjykimin e gjykatës që i garantohet me ligj së një pjesë e shtëpisë dhe një pjesë e oborrit janë të saj po thotë së është e kënaqur me këtë vendim.

Shefki Syla, avokat i Adem Berishës kunatit të Shukries, tha se janë të kënaqur më vendimin dhe se nuk do të bëjnë ankesë ndaj vendimit i cili i mundëson Shukrie Berishës ta gëzojë pjesën e pronës që i takon me ligj.