Luftëtarë të grupit ISIS - Foto: Ilustrim

Drejt ISIS-it i Maskuar si Pjesë e një OJQ-je

Ardian Gjuraj, i akuzuari për vepra që lidhen me terrorizëm nga Aeroporti i Prishtinës deri në Stamboll të Turqisë, sipas aktakuzës udhëtoi me delegacionin e organizatës joqeveritare “Liza-R”.

Në gjykimin e Gjurajt dëshmoi kreu i kësaj OJQ-je Mensur Morina.

Morina në gjykatë tha se organizata “Liza-R” , si aktivitet kryesor ka organizimin e vizitave studimore me aktivitet edukativ, arsimor, kulturor e rekreativ për të rinjtë.

Ai tregoi se derisa kishte dalë për të pritur të ardhurit nëpërmjet organizatës së tij në Turqi, kishte pranuar një telefonatë nga një polic i Kosovës i cili sipas Morinës e kishte njoftuar se njëri nga të përfshirët në delegacionin e organizatës “Liza-R” mund të ndahej nga grupi dhe të udhëtonte drejt Sirisë.

Morina pastaj tha se kishte kërkuar nga polici prej të cilit e kishte marrë telefonatën që personi që dyshohej se mund të shkonte në Siri, të mos lejohej të kalonte kontrollin e pasaportave në Aeroportin e Prishtinës.

“Unë prapë e kam thirrë policinë dhe ju kam kërkuar të mos e lëshojnë Ardianin të vijë dhe në përgjigjen që e kam marrë në telefon më kanë thënë se mendojmë që ai do të risocializohet në grupin tuaj”, tha Morina.

Ai tregoi se moslejimin e udhëtimit drejt Turqisë të të dyshuarit Gjuraj që tash është i akuzuar, e kishte kërkuar edhe nga Samir Salihu, përfaqësuesi i organizatës “Liza-R” në Kosovë.

Morina tregoi se e kishte kontaktuar me telefon edhe vetë Gjurajn, duke i kërkuar që të mos udhëtonte me të tjerët drejt Turqisë, ndërsa bëri të ditur se i kishte thënë se do t’ia kthente paratë e biletës.

“Unë i kam kërkuar të mos i bashkëngjitet grupit, por nuk është në juridiksionin tim që të e ndaloj dikë”, tha Morina.

Morina më tutje deklaroi se pas këmbënguljes së tij mendoi që Gjuraj nuk do të udhëtonte drejt Turqisë me ata që vinin në kuadër të organizimit të “Liza-R”, por ishte gabuar.

Kreu i OJQ-së “Liza-R” tha se të gjithë atyre që ishin pjesë e udhëtimit të organizuar prej saj, me të arritur në Turqi u kishte kërkuar që pasi të kalonin kontrollin e pasaportave, ato t’ia dorëzonin atij.

Dëshmitari Mensur Morina tha se i vetmi i akuzuari Ardian Gjuraj nuk ia kishte dorëzuar pasaportën me arsyetimin se do të blente diçka në lokalet e liruara nga taksat në aeroport.

“Krejt grupi kanë dalë kurse vetëm Ardiani nuk ka dalë. Ne e kemi pritur 20 minuta si grup dhe kur e kam parë që nuk është në grup unë e kam lajmëruar Policinë e Turqisë dhe kam dhënë një deklaratë, kam treguar që një person po mungon dhe në atë deklaratë kam thënë që më ka njoftuar Policia e Kosovës, se për këtë person ekziston dyshimi se mund të shkojë për në Siri”, deklaroi dëshmitari.

Prokurorja, por edhe Gëzim Kollçaku, avokati i Ardian Gjurajt , kërkuan që polici që u përmend nga Mensur Morina të ftohet si dëshmitar.

Gjykata pas kësaj kërkese vendosi që ky polic të jetë dëshmitar në seancën që do të mbahet më 21 korrik. Në këtë seancë pritet të dëshmojë edhe Kujtim Qerkini, babai i të akuzuarit Ardian Gjuraj.

Sipas aktakuzës, Ardian Gjuraj gjatë viteve 2014-2015 duke jetuar në Gjermani është bërë përkrahës i ideologjisë së organizatës terroriste- ekstremiste ISIS.

Babai i tij Kujtim Qerkini e kishte paraqitur në polici Gjurajn, ndërsa Policia e Gjermanisë e kishte deportuar atë në Kosovë më 18 prill 2015.

Por, gjithnjë sipas aktakuzës, në dhjetor të 2015-ës Gjuraj kishte udhëtuar me grupin e organizatës “Liza-R” drejt Turqisë.  Në këtë shtet ai ishte ndarë nga grupi, ndërsa kishte vazhduar rrugën drejt Sirisë, ku u iste bashkuar grupit të kosovarëve pjesëtarë të ISIS-it.

Në aktakuzë thuhet se Gjuraj ishte arrestuar nga autoritete turke më 25 shkurt 2016, pasi kishte kaluar ilegalisht kufirin Siri-Turqi, duke u futur në territorin e shtetit turk.

Aktakuza sqaron se autoriteteve turke që e arrestuan Gjuraj u ishte paraqitur si si shtetas i Rusisë me emrin Ashab Arsayev, ndërsa më 5 shtator 2016 ishte depërtuar në Kosovë.

Gjuraj akuzohet për veprën penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Për paraburgimin e Gjurajt KALLXO.com kishte shkruar në shtator të vitit të kaluar.

http://kallxo.com/paraburgim-luftetarit-te-dyshuar-te-isis/