Gjykimi i zyrtarëve të AKP-së - Foto: KALLXO.com

Drejt Fundit Rigjykimi i Zyrtarëve të AKP-së të Akuzuar për Ryshfet

Në rigjykimin e zyrtarëve të AKP-së, Fevzi Hajdari e Taulant Tahirsylaj, të cilët akuzohen për keqpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti, vazhdoi marrja në pyetje e të dëmtuarit e më pas edhe të akuzuarve iu dha rasti që të jepnin mbrojtjen.

Të dëmtuarin Ramush Misini vazhdoi ta marrë në pyetje edhe mbrojtësi i Taulant Tahirsylaj, avokati Behar Ejupi, i cili e pyeti nëse ishte autorizuar ndonjëherë nga djali i tij në lidhje me paluajtshmërinë e cila është objekt i aktakuzës.

Por i dëmtuari tha se ai asnjëherë nuk ka pasur autorizim me shkrim nga djali i tij.

Më pas avokati Ejupi e pyeti nëse kishte dijeni për një autorizim të cilin djali i tij ia kishte dhënë një avokati.

“Ne në shkresat e lëndës ekziston një parashtresë-autorizim përmes së cilës djali juaj ka autorizuar për mbrojtës një avokat pranë byrosë së avokatisë, avokatin Muhamet Shala, ku të njëjtën shkresë gjykata e ka në shkresat e lëndës. A jeni në dijeni për angazhimin e këtij përfaqësuesi?”, e pyeti të dëmtuarin avokati Ejupi.

Për çka i dëmtuari tha se është në dijeni.

Më pas kryetari i trupit gjykues e pyeti të dëmtuarin nëse bartja e paluajtshmërisë ishte bërë në emër të tij apo të djalit të tij Elbasan Misinit.

“A mund të na tregoni kur e keni realizuar këtë të drejtë?”, e pyeti të dëmtuarin kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra.

“E di që mbas gjykimit, mbasi që ka përfunduar gjykimi lidhur me këtë çështje, përndryshe nuk kam pasë shancë. Mbas përfundimit të gjykimit ATK-ja ma ka dhënë një shkresë se paske të drejtë, më ka thënë se është bërë një gabim se kemi pasë telashe me AKP-në, nuk na  e kanë larë borxhin”, u përgjigj Shaban Misini.

I dëmtuari tha se beson se arsyeja se pse ata kishin ndërruar qëndrim ishte pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Themelore.

Në lidhje me këtë përgjigje të dëshmitarit, pakënaqësi shprehu avokati Ramë Gashi i cili tha se regjistrimi i pronës ishte bërë pasi që ishte hequr barra tatimore andaj kërkoi nga trupi gjykues që ta ballafaqonte me atë provë.

“Dëshmitari pohon në mënyrë kategorike se një gjë e tillë ka ndodhur si pasojë e aktgjykimit të marrë nga ju pra gjithçka ka ndodhur pas aktgjykimit e jo gjatë procesit, e rëndësishme është ballafaqimi sepse shkresa flet qartë për data me shënime të sakta se kur ka ndodhë kjo sepse sipas informacionit që unë posedoj ky fakt nuk është i saktë”, tha avokati Ramë Gashi.

Por një kërkesë e tillë nuk u lejua nga kryetari i trupit gjykues me arsyetimin se momenti i krijimit apo realizimit të së drejtës nuk është çështje relevante dhe objekt i akuzës.

Gjatë kësaj seancë kishte qenë e planifikuar që të dëgjoheshin edhe dëshmitarët Osman Neziri e Lendita Reka-Hamzaraj por pasi që Gjykata nuk kishte mundur ta siguronte prezencën e tyre, me pajtimin e palëve u vendos që deklaratat e tyre të dhëna gjatë shqyrtimit të kaluar gjyqësor të konsideroheshin si te lexuara.

Dy të akuzuarit Fevzi Hajdari si dhe Taulant Tahirsylaj kishin mundësi që të paraqisnin edhe njëherë mbrojtjen para trupit gjykues por që të dy vendosen që të qëndronin prapa deklaratave të tyre të dhëna gjatë shqyrtimit të kaluar gjyqësor.

Pastaj vetë i akuzuari Fevzi Hajdari i propozoi trupit gjykues që në cilësi të dëshmitareve të ftoheshin Arjeta Vata, zyrtare e AKP-së, në zyrën rajonale në Gjilan, për të cilën i ai tha se do të ishte e rëndësishme dëshmia e saj pasi që i dëmtuari e ka përmendur emrin e saj se gjoja ajo e kishte drejtuar tek ai, pastaj Mustafë Nuhiun, ish-zyrtar i AKP-së në zyrën rajonale të Gjilanit, për të cilin tha se ka qenë bashkë me të dhe Arjetën anëtar të komisionit për largimin e uzurpatorit Agim Misini nga paluajtshmëria si dhe Vllaznim Isufin për të cilin tha se ka qenë personi me të cilin Ramush Misini ka shkuar në shtëpinë e tij dhe se ka qenë prezent gjatë gjithë kohës së diskutimit të Ramushit me nënën e tij.

Edhe avokati Ramë Gashi në cilësi të provave i propozoi Gjykatës që t’i administrojë si prova dy shkresa të përpiluara nga AKP-ja në Gjilan, për të cilat tha se flasin lidhur me procedurat e zhvilluara për paluajtshmërinë e të dëmtuarit pranë AKP-së.

Kurse avokati Behar Ejupi kërkoi nga trupi gjykues që si provë të administrohej autorizimi i nënshkruar nga Elbasan Misini për avokatin Muhamet Shala, propozim ky i vetmi i cili u aprovua nga trupi gjykues.

Seanca e radhës do të mbahet më 27 mars, ku do të jepet fjala përfundimtare.

Në korrik të vitit të kaluar, Fevzi Hajdari dhe Taulant Tahirsylaj ishin gjetur fajtorë dhe ishin dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës në akuzën për marrje ryshfeti.

Pas ankesave të mbrojtjes lidhur me dënimet, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim rastin ndaj dy zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Fevzi Hajdari nga Gjykata Themelore e Prishtinës ishte dënuar me 2 vjet burgim, si dhe gjobë prej 25.000 eurove.

Ndërsa Taulant Tahirsylaj ishte dënuar me 1 vit burg me kusht, nëse nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda 2 vjetësh.

Gjykata gjithashtu i kishte shqiptuar Tahirsylajt një dënim me gjobë në shumën prej 8.000 eurove.

Aktakuza ngarkonte Hajdarin dhe Tahirsylajn se si zyrtarë në AKP me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, për t’ia shlyer borxhin në Administratën Tatimore të Kosovës prej 517 mijë eurove për pronën që dëshironte ta regjistronte Ramush Misini, i kishin kërkuar 20 mijë euro ryshfet këtij të fundit.

Të dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për veprën që rëndonte mbi ta.

KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi këtë rast. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.