Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Drejt Fundit Gjykimi për Banderolat e Ilaçeve

Në gjykimin e tre zyrtarëve dhe pronarit të një kompanie për banderolat e ilaçeve u dha fjala përfundimtare.

Prokurorja Mirushe Llugiqi tha se gjykimi e ka vërtetuar fajësinë e të akuzuarve.

“Konsiderojmë se me rastin e vlerësimit të gjithanshëm dhe të drejtë të mbrojtjes së të pandehurve, dëshmisë së dëshmitarëve si dhe provave të elaboruara, administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, pa mëdyshje u vërtetua se të pandehurit e kanë kryer veprën penale ashtu siç është përshkruar në këtë aktakuzë”, tha prokurorja Llugiqi.

Haki Ejupi, Bersan Kolgeci e Ilir Dushi, tre zyrtarët e Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa Edon Hajrullaga, pronari i kompanisë “Prima Pharm” ngarkohet për prodhim të ndaluar.

Më tutje gjatë fjalës përfundimtare, Muhamet Shala, avokati i Bersan Kolgecit tha se i mbrojturi i tij nuk ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

“Në bazë të provave të administruara në seancën për shqyrtimin kryesor pa mëdyshje është vërtetuar fakti se klienti im Bersan Kolgeci nuk e ka kryer veprën penale e cila në bazë të aktakuzës padrejtësisht i vihet në barrë. Në veprimet e klientin tim Bersan Kolgeci nuk inkorporohet asnjë veprim i vetëm inkriminues, përkundrazi rekomandimi të cilin ai e ka lëshuar është i ligjshëm” , tha avokati Shala.

Prokuroria pretendon se Kolgeci si drejtori i Departamentit Ligjor të Agjencisë së Produkteve Medicinale kishte rekomanduar lëshimin e banderolave për 18 produkte kompanisë farmaceutike “Prima Pharm”, duke i mundësuar asaj që t’i nxjerrë në treg barnat e importuara nga Kina më 23 mars 2013.

Nikë Shala, avokati i Ilir Dushit tha se aktakuza ndaj të mbrojturit të tij është ngritur pa fakte.

“Që nga fillimi i procedurës dhe hetimet e zhvilluara në këtë çështje penale ndaj të mbrojturit tim aktakuza është ngritur në bazë të supozimeve, e jo provave materiale siç bazohet edhe një vendim gjyqësor”, tha Shala.

Ndërsa Osman Havolli, avokati i Haki Ejupit tha se në aktakuzë nuk është cekur se ekziston diku ndonjë dëm.

“Vepra si vepër duhet ta kemi kur ekziston vepra penale e kemi edhe pasojën juridike, nëse nuk e kemi pasojën juridike atëherë nuk mund të bëhet fjalë për veprën penale për të cilën pretendojmë” tha Havolli.

Skender Musa, avokati i Edon Hajrullagës të akuzuarit i konsideroi viktima të politikës së Ministrisë së Shëndetësisë.

Bersan Kolgeci, Ilir Dushi dhe Haki Ejupi nga Prokuroria akuzohen që si persona zyrtarë në AKPPM, lëshuan 435.124 banderola të barnave për kompaninë “Prima Pharm”, drejtor i së cilës është i akuzuari tjetër Edon Hajrullaga.

Kolgeci, Dushi e Ejupi akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa Edon Hajrullaga për prodhim të ndaluar.

Sipas Prokurorisë, Bersan Kolgeci, që ishte drejtor i Departamentit Ligjor në Agjencinë e Produkteve Medicinale i kishte rekomanduar drejtorit të Administratës së kësaj Agjencie që t’i lëshonte banderola për 18 produkte medicinale kompanisë “Prima Pharm”, duke i mundësuar asaj që t’i nxjerrë në treg barnat e importuara nga Kina më 23 mars 2013.

Prokuroria pretendon se Kolgeci nuk është dashur ta lëshonte një rekomandim të tillë për arsyen se sipas saj kompania “Prima Pharm” nuk ka qenë e certifikuar me PMP- Praktikën e Mirë Prodhuese.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/akuzuari-kur-e-mora-detyren-nuk-njihja-mire-pergjegjesite/

http://kallxo.com/vazhdon-gjykimi-per-banderolat-e-ilaceve/

http://kallxo.com/debat-rreth-provave-ne-gjykimin-per-barnat/