Foto: Kallxo.com

Drejt Fundit Gjykimi i ish-Inspektorëve të Komunës së Prishtinës

Në gjykimin e rastit të ish- inspektorëve të komunës së Prishtinës sot u morën në pyetje pjesa e fundit e të akuzuarve.

Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi akuzohen se nuk i kanë parandaluar dhe ndërprerë ndërtimet e kundërligjshme në Prishtinë.

Të akuzuarit Arbenita Ajeti, Drita Rukiqi dhe Qemajl Pozhegu deklaruan se do të mbrohen në heshtje duke shtuar se qëndrojnë pranë deklaratave të dhëna në fazat e mëhershme, ndërkaq Ardian Muhadri, Mërgim Shala e Granit Cenaj u përgjigjën në pyetjet e avokatëve, prokurores e trupit gjykues.

Ardian Muhadri, i cili tha se gjatë asaj kohe ka pasur përgjegjësi zonën e Dargodanit, lagjen Tophane, dhe një pjesë të Kodrës së Trimave, i pyetur nga anëtari i trupit gjykues Shashivar se a kanë vendosur ndonjëherë shirita për ndalimin e punimeve, i njëjti u përgjigj me “po, sa herë që kemi pasur, sepse ka ndodhë që nuk na kanë furnizuar”.

Më tej, ai vazhdoi se për çdo vendim e kërkesë që është marrë në cilësinë e inspektorit është adresuar në raportet javore tek shefi i sektorit.

Madje ai theksoi se me drejtorin e Drejtorisë të Inspektoratit nuk kanë pasur mundësi të takohen asnjëherë.

“As nuk na ka ftuar ndonjëherë”, vazhdoi i akuzuari.

Muhadri tha se vendimet që janë marrë për rrënimet e objekteve, janë ekzekutuar vetëm atëherë kur ka ekzistuar vullneti tek personat kompetentë për organizimin e aksionit.

“Sa herë që ka ekzistu ndonjë vullnet për ekzekutim të vendimit edhe është ekzekutuar. Sa herë që personat kompetentë për organizimin e aksionit për rrënim kanë pasë dëshirën dhe vullnetin e tyre për me bo, ai vendim është ekzekutu. Personat kompetent sipas meje kanë qenë shefi i sektorit dhe përmbaruesi”, tha i akuzuari Muhadri.

Kur përfundoi marrja në pyetje e Muhadrit, dëshminë e vazhdoi i akuzuari tjetër Mërgim Shala, i cili fillimisht u mor në pyetje nga avokati i tij Nikë Shala.

Shala deklaroi se nga shkurti i vitit 2010 e deri në qershor të vitit 2013 ka ushtruar pozitën e Inspektorit të Ndërtimit, e më pas tha se është transferuar në pozitën e Inspektorit Komunal për periudhën 3 mujore.

Ai tha se shiritat i kanë vendosur vetëm atëherë kur i kanë pasur.

“Ka ndodhur që nuk kemi pasur as shirita, e as veturë me dalë në terren dy jave. Krejt sektori i kemi pasë dy vetura, në këso raste kemi dalë në terren në këmbë”, tha Shala.

Më tej, ai foli për të gjitha pikat e akuzës për të cilat akuzohet, duke treguar për hapat që i kishte ndërmarrë si inspektor në objektet e investitorëve “Oti-Com”, “As Projekt”, “Avni Kos”, “Tregtia”, “Al Petrol” në Arbëri, si dhe një objekt si lloj xhamie te Mati 1.

Ai tregoi se si ka nxjerrë vendime për ndërprerjen e punimeve për shembull për shkak të tejkalimit të lejes, ose në mungesë të saj. Kur ky aktvendim nuk është respektuar, i njëjti deklaroi se ka nxjerrë gjithmonë vendim për rrënim.

“Deri më sot gjithmonë kam vepruar konform dispozitave ligjore. Fare nuk kemi pas njohuri se çfarë po ndodhë, dy ditë para se me ndodhë arrestimi im, me një kallëzim plotësues penal dhe aty na kanë shti në grup edhe neve dyve, sepse nuk e kanë ditë se jemi 8 inspektorë, pasi ne nuk kemi pasur zona të përgjegjësisë që nga qershori i 2013-ës dhe kanë kujtuar që janë vetëm 6 inspektorë”, shtoi Shala.

Avokati i Ismet Halitit, Ramiz Krasniqi, në fund të seancës kërkoi nga trupi gjykues që të ftohet një përfaqësues i Komunës së Prishtinës, me qëllim që të vërtetohet se a është dëmtuar komuna nga këto objekte.

Mirëpo trupi gjykues refuzoi propozimin e avokatit Krasniqi, me arsyetimin se komuna në këtë proces nuk rezulton se është palë e dëmtuar.

Në seancën e radhës do të mbahet fjala përfundimtare, e cila i paraprinë shpalljes së aktgjykimit.

Që të gjithë këta janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e prokurorisë.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Prokuroria po ashtu pretendon se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.