Dramat Jugosllave i Nxorën Punë CIA-s

CIA kishte vështrimin e vet të fiksuar në Jugosllavinë komuniste nga vitet 1940, duke ndjekur nga afër zhvillimet deri në ditët e saj të fundit në vitin 1991.

Pasi një Organizatë Joqeveritare amerikane, MuckRock, fitoi një rast kundër CIA-s, agjencia duhej të lejonte qasje në dokumetet publike. Javën e kaluar, baza online e dokumenteve u hap për publikun.

Dokumentet tregojnë interesin e madh që CIA kishte për situatën në Jugosllavi, sidomos gjatë viteve të turbullta 1980, me rritjen e nacionalizmit dhe krizës ekonomike.

Me vdekjen e Presidentit “të përjetshëm”  jugosllav, Josip Broz Tito në vitin 1980, një dosje e emëruar “Jugosllavia: Lodhja filloi të shihet” e vitit 1982, thotë që “sistemi i tij politik mund të jetë i paaftë për t’u përballuar vështirësive financiare ndërkombëtare të vendit, problemeve të ekonomisë së brendshme dhe rritjes së tensioneve etnike”.

“Gjatë jetës së Titos, Jugosllavia ishte në gjendje të funksionojë me sukses, pavarësisht nga dobësitë e sistemit, sepse Tito kishte prestigjin për të ndërhyrë në momente kritike dhe për të vendosur masa përmirësuese”, shkruhet në dokument.

Dosja shpjegon se si sistemi jugosllav federal i përfshirë në kushtetutën e re në 1974 – duke futur një President me rotacion të Kryesisë Federale – ishte përpjekja e Titos për të parandaluar ndonjë grup “etnonacional” për ta dominuar Jugosllavinë.

Një vit më vonë, më 1983, një dosje “Tendencat e Jugosllavisë në nacionalizmin etnik” tregon për rritjen e tendencave nacionaliste në vend, megjithëse ende konsiderohej dhuna etnike “e pashmangshme”.

“Rivalitetet etnike janë duke u përkeqësuar nga polemikat në shtypin e vendit, tendenca e liderëve fetarë për të lidhur çështjet e besimit me interesat etnike, dhe tërheqjen e nacionalizmit etnik në rininë e pakënaqur jugosllave”, thekson raporti.

Megjithatë, një analizë nga janari i vitit 1991 – në prag të konflikteve të armatosura në Slloveni dhe Kroaci – titullohet me shumë pesimizëm “Jugosllavisa: Nuk ka Rrugëdalje”.

“Jugosllavia ende shfaqet në rrugën për shpërbërje, ose në një gjakderdhje, e shumë më pak në arritjen e marrëveshjeve të përbashkëta midis republikave”, shkruhet në analizë.

Marrëdhëniet e Jugosllavisë si me SHBA-në ashtu edhe dhe BRSS-në ishin gjithashtu shqetësuese për CIA-n. Raporti i tij nga viti 1986 tregon se si zyrtarë jugosllavë dhe mediat jugosllave kishin kritikuar bombardimin amerikan të Libisë, kur forcat ajrore të saj bombarduan Tripolin nën udhëheqjen e Muamar Gadafi-it duke i mbijetuar sulmit.

“Presidenca kolektive e shtetit, në një seancë të jashtëzakonshme më 15 prill,” me ashpërsi dënoi sulmin e armatosur amerikan” si “një shkelje flagrante” e sovranitetit të Libisë dhe kërkoi një fund të menjëhershëm për “operacionet agresive ushtarake amerikane”, shkruhet në dosje.

Një vit më vonë, me Jugosllavinë që po binte thellë e më thellë në krizën ekonomike dhe politike, CIA vështronte me shqetësim bisedimet e përtrira me BRSS, nën udhëheqjen e liderit të ri sovjetik Mikhail Gorbaçov që kishte për qëllim sjelljen e të dy vendeve më afër së bashku.

“Qëllimi kryesor i Beogradit në përmirësimin e marrëdhënieve është për të fituar ekonomikisht duke shmangur lidhjet politike”.

Dosjet përmbajnë raporte të shumta në betejat e Jugosllavisë me terrorizmin në aspektin e nacionalistëve “ekstremistë”, në vend dhe jashtë vendit.

Një numër i raporteve të CIA-s merren me luftën midis udhëheqësve komunistë jugosllavë me lëvizjen e fashistëve kroatë në Luftën e Dytë Botërore në vitin 1946, kur agjencia vlerësoi se deri në 10,000 luftëtarë fashistë mbetën në Jugosllavi.

Një raport nga viti 1972 rrreth “Problemit separatist kroat” vuri në dukje sulmin e 19 kroatëve në qytetin perëndimor boshnjak Bugojno, kur ekstremistët nga Organizata Revolucionare Kroate, HRB, sulmuan policinë jugosllave. Ata të gjithë u vranë dhe u arrestuan.

I njëjti raport fajësoi ustashët për vrasjen e ambasadorit jugosllav Vladimir Roloviq në Stokholm në vitin 1971. Vrasësi kroat, Miro Baresiq, i cili vdiq në luftën e Kroacisë për pavarësi në vitin 1991, u nderua me një monument në Kroaci në muajin gusht.

Një raport nga viti 1972 u përqëndrua në “Pranverën kroate”, një lëvizje politike e dalë nga brendia e Lidhjes Komuniste të Kroacisë që kërkonte reforma politike dhe ekonomike në vitin 1971.

“Një pjesë e mirë e përgjegjësisë për krizën bie në krahun e fortë liberal të Partisë Komuniste Kroate. Ky krah politik për disa vjet ka shfrytëzuar ndjenjat nacionaliste për të konsoliduar pushtetin e saj lokal dhe për të fituar koncesione nga autoritetet qendrore në Beograd”, lexohet në dosje.

Raportet gjithashtu vënë në dukje ardhjen e refugjatëve grekë që iknin prej luftës civile në Greqi në vitin 1950, aktivitetet e organizatës së sponsoruar nga sovjetikët “Komiteti i Lirë i Maqedonisë” që kërkonin kthimin e pjesëve  të Jugosllavisë, Bullgarisë dhe Greqisë në një shtet më të madh të Maqedonisë dhe ekzistencën e kampeve të punës në rrethinat e Beogradit.