ARKIV - Prishtinë

Dragusha-Thaçi: Prishtina Greminë Gri e Pluhur

Deputetja Evgjeni Dragusha- Thaçi që në seancën që Kuvendi po ia kushton ndotjes së ajrit në Prishtinë foli në emër të PDK-së, tha se Prishtina më tepër po i ngjan një gremine gri e pluhur sesa një qyteti.

“Nëse e sheh Prishtinën nga kodrat e saj kjo i ngjan më shumë një gremine sesa një qyteti, gri e pluhur”, tha Dragusha- Thaçi.

Ajo deklaroi më tutje se banorët e disa komunave në Kosovë moti janë ankuar për ndotjen, por zëri i tyre nuk është dëgjuar.

“Banorët e Obiliqit, Drenasit, Mitrovicës e qyteteve tjera kanë ngritur zërin prej kohësh por kanë hasur në vesh të shurdhër”, tha Dragusha- Thaçi.

Ajo konstatoi se u “desht që ambasada amerikane të nisë matjet që të kuptojmë gjendjen alarmante”.

“Masat e përkohshme janë të domosdoshme, njësoj si politikat afatgjata dhe duhet të fillohet me vetëdijësimin të qytetarëve, sidomos gjeneratave të reja”, tha Dragusha- Thaçi.

Në seancën ku po debatohet për ndotjen alarmante të ajrit në Prishtinë të pranishëm janë 68 deputetë.

Seanca u iniciua nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli me mbështetjen e 40 deputetëve nënshkrues.