Pasojat e përleshjes së armatosur në Kumanovë në vitin 2015. Foto: AP/Visar Kryeziu

Dosja e Prokurorisë Maqedone për 'Grupin e Kumanovës'

KALLXO.com ka siguruar kopje të aktakuzës së prokurorisë së Maqedonisë ku përshkruhen veprimet e grupit.

Gjykata Themelore e Shkupit sot shqiptoi gati 750 vjet burg ndaj 33 personave. 7  persona u  dënuan me burgim të përjetshëm, 13 u dënuan me nga 40 vjet burgim, ndërsa 13 të tjerë u dënuan me dënime mes 10 dhe 20 vjet.

Këto dënime i dhanë fund, të paktën në shkallën e parë të drejtësisë, njërit nga proceset gjyqësore më të përfolura në Republikën e Maqedonisë dhe jo vetëm.

Shpallja e aktgjykimit e gjeti të blinduar sot Shkupin e veçanërisht rrethinën e objektit të gjykatës, teksa ishte i jashtëzakonshëm interesimi i media për epilogun e këtij gjykimi.

I gjithë ky proces maratonik gjyqësor filloi me aktakuzën e Prokurorisë maqedonase sipas së cilës, në  fillim  janarit  të vitit 2015 të akuzuarit Mirsad Nrecaj (tanimë i ndjerë), Beg Rizaj (tanimë i ndjerë), së bashku me të akuzuarit Andi Krasniqi i thirrur “Malisheva” më parë Muhamet Krasniqi, Sami Ukshini, Demë Shehun, kanë krijuar grup, i cili është dashur të veprojë në një periudhë  të gjatë kohore.

Gjithnjë sipas pretendimeve të prokurorisë,  qëllimi i formimit të grupit ishte kryerja e veprave penale të drejtuara në kryerjen e një ose më shumë veprave penale të vrasjeve, lëndime trupore, shkatërrim të objekteve publike, objekte infrastrukturore dhe objekte për përdorim të përgjithshëm, sulm ndaj stacioneve  policore.

Prokuroria pretendonte se grupit fillestar më vonë ju bashkuan edhe pjesëtarë të tjerë si – Suleman Osmani, Qenan Iseni, Fadil Fejzullahi, Irfan Lutviu, Fadil Elshani, Esad Kafexholli, Ardijan Bujari, Shefket Hallaçi, Lirim Demiri, Hajruish Abdija, Betim Kabashi, Genti Sefaj, Landrit Rustemaj, Enver Klajn, Rufki Dogani, Nasuf Zeqiri, Mirsad Qerimi, Valdet Zekaj, Bajram Elshani, Nexhbedin Lika, Lirim Krasniqi, Sevdail Miftari, Fatmir Reçica,  Beg Bajra , Fejzulla Rushitovski,  Arsim Bajrami, Samid Destani) (tani i ndjerë), Valon Kabashi (tani i ndjerë), Fatlum Vishesela (tani i ndjerë), Xhafer Zumeraj (tani i ndjerë), Arben Rexhaj (Rama) (tani i ndjerë), Turbaj Gashi (tani i ndjerë), Nusret Kaloshi (tani i ndjerë).

Aktakuza e Prokurorisë Themelore të Maqedonisë pretendon se secili nga anëtarët e grupit ka pasur detyra konkrete ashtu që Andi Krasniqi i quajtur “Malisheva” së bashku me të akuzuarit Mirsad Nrecaj, Beg Rizaj, Sami Ukshini, Demë Shehu, si organizatorë të grupit kanë siguruar mjete financiare për veprimin e grupit përfshirë furinizimin me armë dhe municion si dhe me materiale mjekësore.

Rol në grupin e armatosur, Prokuroria pretendon se kishin edhe Suleman Osmani, Qenan Iseni, Fadil Fejzullahi, Irfan Lutfiu, Arsim Bajrami, Lirim Demiri, Nasuf Bekiri, Fejzulla Rushitovski dhe Besnik Ajdini  që  kanë organizuar vendosjen e grupit në objekte dhe shtëpi në rajonin e Kosovës dhe  Maqedonisë, janë kujdesur për përkrahjen logjistike të grupit, kanë siguruar ushqim, kanë mbledhur informacione për lëvizjen dhe aktivitete të tjera të strukturave të sigurisë.

Aktakuza e Prokurorisë Maqedonase i ngarkonte edhe Bajram Elshanin, Esad Kafexhollin, Ardijan Bujari, Shefket Hallaçi, Avdija Hajrush, Betim Kabashi, Genci Sefa, Landrit Rustemaj, Enver Kllajn, Rufki Dogani, Mirsad Qerimi, Valdet Zekaj, Bajram Elshani, Nexhbedin Lika, Lirim Krasniqi, Sevdail Miftari, Fatmir Reçica, Bajra Beg, Arsim Bajrami, Samid Kastrioti (Samid Destani) (tani i ndjerë), Valon Kabashi (tani i ndjerë), Fatlum Vishesela (tani i ndjerë), Xhafer Zumeraj (tani i ndjerë), Arben Rexhaj (Rama) (tani i ndjerë), Turbaj Gashi (tani i ndjerë), Husein Rushiti (tani i ndjerë), Kaloshi Nusret (tani i ndjerë), si pjesëtarë të grupit kanë marrë detyra konkrete nga organizatorët e grupit, kanë siguruar mbështetje logjistike të grupit ashtu që kanë pasur detyrë të sigurojnë kalim ilegal të anëtarëve të grupit, kanë kryer observim të ndërtesave dhe vendeve, me qëllim për rrezikim të jetës dhe trupit dhe duke shkaktuar ndjenjën e pasigurisë dhe frikës te qytetarët.

Incidenti i Goshincës

Pika e dytë e aktakuzës me të cilën ngarkoheshin të akuzuarit e rasti të njohur si “Kumanova” përshkruan mënyrën se si grupi pushtoj dhe lidhi policët dhe mori armët nga stacioni i policisë në Goshincë.

Plani për sulmin ishte kryer me datë 22 prill 2015 dhe siç përshkuan aktakuza tani të ndjerët Mirsad Nrecaj dhe Beg Rizaj, së bashku me të akuzuarit  Valdet Zekaj, Demë Shehu dhe persona të tjerë të panjohur, të maskuar dhe të armatosur me armë zjarri kishin kaluar kufirin Kosovë Maqedoni.

Siç përshkruhet në aktakuzë në territorin Maqedon ata takuan Nasuf Bekiri, Fejzulla Rushitovski dhe persona të tjerë.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë të akuzuarit pastaj rreth orës 02:30, të armatosur me armë automatike e kanë sulmuar Stacionin e Policisë Goshincë.

Katër policët që po e ruanin stacionin ishin dorëzuar e pas ishin lidhur nga grupi.

Nga stacioni policor grupi kishte siguruar rreth 120 armë zjarri dhe mijëra fishekë.

Prokuroria sqaron se grupi mori nga stacioni 65 armë automatike 3 mitralozë, 2 snajperë dhe 49 revolverë. Në arsenalin e siguruar nga stacioni policor janë edhe rreth 20 mijë fishekë dhe materiale të tjera ushtarake. Armët pas aksionit ishin bartur me makina për në fshatin Brezë.

Përplasja finale në ‘Lagjen e Trimave’

Aktakuza shpjegon se grupi pas aksionit ishte rikthyer në kosovë për t’u rifutur më pas në territorin Maqedon në mes datave 2 dhe 8 maj.  Prokuroria pretendon se grupi me tri vetura ishte transportuar në Kumanovë dhe i vendosur në disa ndërtesa në rr.”Pero Ilievski” në lagjen “Divo Naselje” pronë e të akuzuarit Fadil Fejzullahi.

Siç shkruhet në aktakuzë autoritetet maqedone kishin informacione për grupin një aksion i gjerë policor ishte planifikuar për mëngjesin e datës 9 maj. Aktakuza përshkruan se njësi speciale ishin nisur në drejtim të vendit ku po qëndronte grupi.

Një bombë dore kishte qenë sulmi i parë ndaj njësive speciale i shoqëruar me breshëri automatike dhe të shtëna me snajper.

Prokuroria  më tej pretendon se si pasoj e këtij sulmi, humbën jetën  8 pjesëtarë të policisë ndërsa u plagosën edhe  42  të tjerë.

Epilogu

Pas një gjykimi që përpos në Maqedoni, u përcoll me shumë vëmendje edhe në Kosovë, Gjykata e Shkupit i gjeti fajtor dhe shqiptoi 746 vjet burg.

Gjatë gjithë procesit gjyqësor avokatët mbrojtës paraqitën prova me të cilat pretenduan se të mbrojturit e tyre janë të pafajshëm dhe se i gjithë rasti Kumanova ishte një skenar i përgatitur nga shërbimet sekrete.

Të pandehurit në sallën e gjyqit. Foto: MIA.

Gjithashtu, shqetësuese gjatë gjykimi ishte pretendimi i disa prej të akuzuarve për keqtrajtim të vazhdueshëm të tyre.

Më shumë se dy vite pasi ndodhi përleshja e armatosur, Gjykata e Shkupit nxori vendim sipas të cilit gjeti fajtor 33 persona.

Me burgim të përjetshëm u dënuan Andi Krasniqi, Dem Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Beqiri, Valdet Zekaj, Bek Bajramaj, Fejzulla Rushitovski.

Me nga 40 vjet burg u dënuan, Sami Ukshini, Esat Kafexholli, Ardian Bujari, Shefqet Hallahi, Betim Kabashi, Bajrami Elshani, Nexhbedin  Lika, Lirim Krasniqi, Sevdali Mustafi, Fatmir Reçica, Enver Hoxha, Rufki Dogani dhe  Genc Sefaj.

Me dënime nga 10 deri në 20 vjet burg u dënuan Qenan Iseni – 20 vjet burg, Fadil Elshani – 20 vjet burg, Lirim Demiri -20, Hajrush Abdija 20 vjet, Lendrit Rustemaj – 20 vjet, Mirsad Qerimi 20 vjet, Ragmi Latifi 18 vjet, Irafan Lutfiu- 14 vjet, Seadudin Abdullai 13 vjet, ELham Arifi – 13 vjet burg, Musadik Pajaziti 12 vjet dhe Ebib Aliji 12 vjet burg.