Dardan Molliqaj në Debat pernime. Foto: Atdhe Mulla

Dorëheqja e Molliqajt Nxit Polemika PDK- Vetëvendosje

Në një deklaratë të lëshuar pasdite, Vetëvendosje përgënjeshtroi deklaratën e zyrtarit të PDK-së, Blerand Stavileci, i cili më herët gjatë ditës dha versionin e vet të largimit të Molliqajt nga njëri prej posteve më të rëndësishme në Vetëvendosje.

“Ju kanë detyruar të distancoheni prej dhunës dhe menjëherë e shkarkuat prej komesarllëkut Dardan Molliqajn”, tha Stavileci në një postim në Facebook pas një deklarate të Albin Kurtit se Vetëvendosje e ka përkrahjen e ambasadorëve të huaj në Kosovë për ta bërë qeverinë.

Por Vetëvendosje thotë se PDK është e tronditur nga rënia e mbështetjes në elektorat ndaj sajdhe “duket se e ka të pamundur këndelljen, prandaj edhe ka filluar një fushatë shpifëse që e bën aq të dukshme gjendjen e rëndë të saj”.

“Dyfishimi i Vetëvendosjes në anën tjetër, që ka bërë që të jemi partia më e madhe në vend, e ka futur në panik të thellë këtë parti, e cila për vite të tëra përmes klanit “Pronto” e ka kapur në gjitha format shtetin dhe tashmë po frikësohet nga çrrënjosja e krimit dhe korrupsionit”, tha Vetëvendosje.

“Deputeti Molliqaj, i cili renditet në mesin e dhjetë deputetëve më të votuar në vend, i ka dhënë tashmë arsyet e dorëheqjes, të cilat përmblidhen në angazhimin e mëtutjeshem që ai do ta ketë në Kuvend për ta luftuar klanin “Pronto” së bashku me deputetët e tjerë të VETËVENDOSJE!-s, e cila do ta ketë grupin më të madh parlamentar në Kuvend. Dhe pikërisht kjo luftë të cilën e kanë frikë aq shumë ky klan kriminal, është arsyeja pse PDK ka filluar të sajojë shpifje, të cilat në asnjë mënyrë nuk do ta shpëtojnë nga rënia e vazhdueshme dhe përgjegjësia që duhet ta japin për dëmin që i kanë shkaktuar vendit”, shtoi Vetëvendosje.

Kjo parti thotë se mbetet e përkushtuar dhe “do të angazhohet fuqishëm për një mendësi të re qeverisëse, e cila çrrënjos krimin dhe korrupsionin, si dhe mundëson një shtet të së drejtës”.