Donald Trump. Foto: Facebook

Donald Trump Uron Popullin e Kosovës për Ditën e Pavarësisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka dërguar një letër urimi Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e Ditës së Pavarësisë së vendit.

Sipas letrës së publikuar nga Presidenca e Kosovës, presidenti Trump ka uruar popullin e Kosovës për Ditën e Pavarësisë.

“Partneriteti mes dy shteteve tona mbështetet në vlerat dhe interesat e përbashkëta. E ardhmja e Kosovës sovrane, multietnike dhe demokratike bazohet në rajonin e Ballkanit stabil, të begatë dhe plotësisht të integruar në bashkësinë ndërkombëtare”, thuhet në letrën e urimit të presidentit të ShBA-së.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kremtuan së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës fitimin e medaljes së artë historike në Lojërat Olimpike në Brazil, si dhe debutimin e përfaqësueses së Kosovës në garat ndërkombëtare të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA)”, thuhet më tej në letrën e presidentit Trump, përcjell Presidenca e Kosovës.

“E mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit tonë të gjerë dhe të thellë, të përqendruar në mbështetjen e rritjes së zhvillimit demokratik dhe ekonomik, forcimin e sundimit të së drejtës në Kosovë, zgjidhjen e kontesteve me fqinjët, si dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftëtarëve të huaj terroristë”, thuhet po ashtu në letrën e urimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara.

http://kallxo.com/vjen-urimi-nga-administrata-trump-per-diten-e-pavaresise/