Presidenti amerikan, Donald Trump - Foto: REL/Reuters

Donald Trump Nënshkruan Ligjin për Buxhet të Përkohshëm

Senati amerikan ka mbështetur propozim-ligjin për buxhet të përkohshëm, duke eliminuar kështu bllokadën financiare dhe duke mundësuar rifillimin e punës së administratës amerikane.

Përparimi u arrit pasi që republikanët dhe demokratët votuan në favor të propozim-ligjit për financimin e përkohshëm të administratës deri më 8 shkurt.

Tani shpresohet se Kongresi në ndërkohë do të arrijë pajtimin për buxhetin afatgjatë.

Demokratët u pajtuan që të mbështesin propozim-ligjin, pas premtimit të republikanëve se më vonë do të zhvillohet debati për të ardhmen e migrantëve ilegal.

Ligji më pas u nënshkruan nga presidenti Donald Trump, duke u dhënë kështu fund bllokadës së qeverisë amerikane, që zgjati 69 orë.

Në Senat, për për propozim-ligjin për vazhdimin e buxhetit votuan 81 senatorë, ndërsa 18 votuan kundër.

Pas miratimit të propozim-ligjit, demokratët dhe udhëheqësi i tyre në senat, Çak Shumer, u përballën me kritika, pasi që ata jo vetëm që u pajtuan që të mbështesin ligjin, i cili është shumë i ngjashëm me atë që u ofrua të premten e kaluar, para bllokadës së qeverisë, por edhe për faktin se nuk është e sigurt se ata do të jenë në gjendje të mbrojnë me mijëra migrantë ilegal nga dëbimi. /21Media