Kadri Veseli në foltoren e Kuvendit. Foto: Kallxo.com

DOKUMENT- Drafti i Rezolutës për ‘Vlerat e UÇK-së’

Deputetët e Kuvendit të Kosovës diskutuan sot tërë ditën për “vlerat e UÇK-së”, por kur erdhi radha te votimi i një rezolute, mungoi kuorumi, meqë në sallë ishin të pranishëm vetëm 55 deputetë nga të paktën 61 sa duhet të jenë

Drafti i nënshkruar nga përfaqësues të katër grupeve parlamentare përmban 12 pika ndërsa përmbajtja është pajtuar nga përfaqësues të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe NISMA-s. Shihet se Vetëvendosje nuk është pajtuar me këtë përmbajtje.

Në pikën e parë të draftit të rezolutës të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet se “Lufta Çlirimtare e Kosovës e udhëhequr nga UÇK, me qëllim të çlirimit të Kosovës dhe sjelljes së lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës, me karakter mbrojtës dhe çlirimtar, duke e respektuar të drejtën dje standardet më të larta të luftës, e drejtuar ekskluzivisht kundër forcave ushtarake, policore dhe administratës okupuese të Serbisë në Kosovë, është lufta e armatosur e popullit të Kosovës, e cila mbrohet dhe çmohet nga çdo qytetar dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.

Pika e dytë e rezolutës thotë se pjesëtarët e UÇK-së më sakrificën, angazhimin dhe kontributin e çmuar në luftën çlirimtare të Kosovës ishin “faktor vendimtar për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë së popullit të Kosovës dhe në këtë drejtim gëzojnë dhe duhet të gëzojnë mbështetjen dhe vlerësimin e tyre të merituar institucional, në pajtim me kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi”.

Në pikën e tretë të dokumentit thuhet se Republika e Kosovës është e përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit, dhe në këtë drejtim “çdo tendencë e kujtdo qoftë që ndaj pjesëtarëve të UÇK-së të ndërmarrë masa që janë në kundërshtim me parimet e kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi dhe për motive jashtë sistemit të drejtësisë janë të papranueshme”.

Ndërsa në pikën e fundit thuhet se Kuvendi i Kosovës zotohet që brenda 6 muajve do ta miratojë ligjin për mbrojtjen e vlerave të UCK-së dhe luftës së saj për çlirim.

Votimi i tekstit të kësaj rezolute pritet të bëhet të premten paradite kur pritet të vazhdojë seanca e jashtëzakonshme.

Debati është bërë pak ditë pasi Gjykata e Apelit vërtetoi dënimin ndaj grupit Drenica 2 të akuzuar për krime lifte, në mesin e të cilëve gjendej një ish- ambasador, një deputet dhe një kryetar komune.

rezoluta1

rezoluta3a

rezoluta2