Dogana në Aksion Kundër Makinave të Padoganuara

Rreth 50 makina të padoganuara janë zbuluar nga Dogana e Kosovës pas një raportimi në KALLXO.com.

Në ditën kur Dogana e Kosovës kishte ndërmarrë një aksion të gjerë në tregun e veturave në kryeqytet KALLXO.com kishte pranuar një informacion se në fshatin Abri e Epërme të Drenasit në një depo makinash janë duke u fshehur makina të padoganuara.

Hulumtuesit e KALLXO.com, të cilët kishin dalë në terren, kishin verifikuar informacionet të cilat më pas janë bartur tek Dogana e Kosovës.

Pas disa verifikimeve, më 21 prill 2016, KALLXO.com i është drejtuar Doganës se Kosovës me një shkresë në lidhje me këtë informacion, duke kërkuar nga ta që në bazë të kompetencave ligjore të verifikonin rastin ne fjalë.

Pesë ditë më vonë, Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë një operacion më të gjerë ku janë zbuluar makina të padoganuara.

“Gjatë kontrollit të realizuar te dy subjektet janë identifikuar automjete të pa zhdoganuara, dhe janë identifikuar rreth 50 automjete të pa zhdoganuara, po ashtu janë marr për verifikim të mëtutjeshëm rreth 60 libreza KS – RKS, të cilat do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit”, thuhet në shkresën e Doganës së Kosovës.

Më 17 prill, Dogana e Kosovës ndërmori një aksion të gjerë  në tregun e Prishtinës, ku konfiskoi dhjetëra makina të padoganuara.

Importi i makinave pa u doganuar është shkelje e ligjit dhe e njëjta mund të dënohet me gjobë ose me burgim.

http://kallxo.com/tregtaret-te-pakenaqur-aksionin-e-doganes/