Dogana e Kosovës - Foto: Rtv21

Dogana Mbledh 65 Milionë Euro më Shumë se Vjet

Dogana e Kosovës sivjet mblodhi më shumë të hyra sesa parashikimet që qeveria i priste prej saj.

Qeveria kishte parashikuar që Dogana do t’i mblidhte 1 miliard e 108 milionë euro, por Dogana ka mbledhur deri sot 1 miliard e 117 milionë euro.

“Nëse e krahasojmë këtë vit me vitin e kaluar ne kemi të hyra rreth 65 milionë euro më shumë. Kemi kaluar edhe projeksioin e qeverisë i cili ka qenë 1 miliard e 108 milionë euro, derisa ne po tejkalojmë për 1 për qind, apo 10 milionë euro pritjet nga qeveria”, tha drejtori i përgjithshëm i Doganës Bahri Berisha.

Berisha këto rezultate i cilësoi “më të mirat, më të jashtëzakonshmet në aspektin e të hyrave”.

“Deri sot ne kemi mbledhur 1 miliard e 117 milionë euro. Sot është ditë pune dhe priten të mbledhen të hyra edhe sot gjatë ditës dhe kjo shifër të arrijë edhe më e lartë”, tha Berisha.

Ai tregoi se është rritur importi sivjet.

“Kemi rritje të importit në krahasim me vitin e kaluar. Vlera e importit ka shënuar 3,4 miliardë euro, 8 për qind më shumë se vitin paraprak”, tha Berisha.

Sipas Berishës në 2017-ën është rritur edhe eksporti.

“Eksporti dhe rieksporti ka arritur në 434 milionë që paraqet një rritje prej 18 për qind në raport me vitin e kaluar”, tregoi Berisha.

Ai bëri të ditur edhe nga cilat mallra më së shumti erdhën  të hyrat.

Berisha tha se nga derivatet u fituan 330 milionë euro, nga duhani 165 milionë dhe nga doganimi i automjeteve 85 milionë.

Doganat humbën 31 milionë euro nga zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit dhe 26 milionë nga bartja e pagesës së Tatimit në Vlerë të Shtuar në brendi të vendit.