Këshilli Gjyqësor i Kosovës – Foto: KALLXO.com

Do T'u Hiqen Shpenzimet Dëshmitarëve të Rasteve Gjyqësore

 

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka miratuar Udhëzimin Administrativ sipas të cilit do të përcaktohet lartësia dhe mënyra e kompensimit të dëshmitarëve në procedurën penale.

Udhëzimi Administrativ 03/2017 përcakton se  kur dëshmitari banon në një largësi deri në 100 kilometra nga gjykata ku është ftuar për të dëshmuar, ka të drejtë të kërkojë  vetëm shpenzimet e udhëtimit.

Ndryshe është situata kur dëshmitari banon më shumë se 100 kilometra larg nga gjykata ku ka për të dëshmuar. Në këto raste, dëshmitarit i mbulohen shpenzimet e transportit, shujta ditore deri në 10 euro në ditë si dhe shpenzimet e fjetjes deri në 30 euro për natë.

Përpos këtyre shpenzimeve që u kompensohen dëshmitarëve, gjithashtu dëshmitarit i njihet e drejta e kompensimit të mëditjes së humbur në rast se e dëshmon se punëdhënësi i tij nuk ia kompenson pagën për ditën e humbur.

Për të realizuar këto kompensime dëshmitarit i duhet që përpos një kopjeje të letërnjoftimit, të ketë edhe dëshmitë e shpenzimeve të transportit, si biletën ose kuponin tatimor për derivate, dëshminë për shpenzimet e fjetjes, dëshminë mbi shpenzimet e ushqimit/shujtës ditore si dhe dëshminë se dita e humbur nuk i kompensohet nga punëdhënësi.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për shtyrjen e seancave gjyqësore e që kjo ka ndikuar në rritjen e shpenzimeve për dëshmitarët që kanë qenë të obliguar t’i mbulojnë shpenzimet e tyre  të udhëtimit dhe shpenzimet e tjera.

KALLXO.com ka bërë përpjekje përmes telefonit të kontaktojë drejtorin e Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Shkelzen Maliqi si dhe me gjyqtarin Armend Berisha nga Komisioni për Çështje Normative në KGjK, por nuk ka arritur të ketë kontakt me ta lidhur me disponueshmërinë buxhetore të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për mbulimin e këtyre shpenzimeve.