'Demokracia në Veprim'

DnV: Resurset Publike u Përdorën në Fushatë

Në ditën e heshtjes zgjedhore, Demokracia në Veprim tregoi gjetjet nga monitorimi i fushatës njëmuajshe për zgjedhjet lokale që zhvillohen nesër.

Sipas Albert Krasniqit nga Demokracia në Veprim, ky rrjet organizatash joqeveritare fushatën zgjedhore e monitoroi me 61 vëzhgues afatgjatë, të cilët ishin të pranishëm në 1369 aktivitete zgjedhore.

Këta vëzhgues identifikuan në fushatë përdorimin e resurseve publike, përkundër një vendimi të Kreministrit ramush haradinaj me të cilin ndalohej përdorimi i këtyre mjeteve në fushatë.

“Ne kemi arritur të identifikojmë 82 raste kur resurset publike janë përdorur dhe që përfshijnë automjetet zyrtare, apo edhe pjesëmarrjen e shërbyesve publikë dhe personave zyrtaë në fushatë dhe në subjekte politike”, tha Krasniqi në konferencë.

Vendimi i Haradinajt për ndalimin e përdorimit të resurseve publike dhe vartësve të tij qeveritarë në fushatë, është cilësuar rrenë nga krypometri- produkti i KALLXO.com për matjen e vërtetësisë së deklaratave të personave publikë.

Rrena e Haradinaj për Ndalimin e Pjesëmarrjes së Ministrave në Fushatë

Sipas DnV-së gjuha e urrejtjes është përdorur në 22 tubime zgjedhoe të onitorura nga rrjeti i organizatave joqeveritare, që sipas Albert Krasniqit është në rënie në krahasim e zgjedhjet e kaluara parlamentare.

DnV-ja ka vërejtur edhe prezencë të fëmijëvë në fushatën zgjedhore, një gjë që ndalohet me nenin 5 e pikën 1 të Rregulles Zgjedhore 13/2013.

“Në 30 për qind të aktiviteteve të monitoruara ka pasur prezencë të fëmijëve, ose në numër 3994 fëmijë të cilët kanë marrë pjesë në tubimet e partive politike”, tha Krasniqi.

Shumica e dënimeve nga PZAP-i pas ankesave të BIRN dhe Internews Kosova iu shqiptuan subjeteve politike për përfshirje të fëmijëve në fushatë.

http://kallxo.com/ankesat-e-birninternews-kosova-sot-18-mije-euro-gjoba-per-partite/

Edhe gratë patën pjesëmarrje të ulët në fushatë, vetëm 10 pr qind të të tubuarve nëpër aktivitetet zgjedhore, ndërsa folëse ishin në kuotën e 21 përqindëshit.

Personave me aftësi të kufizuar nuk iu sigurua qasje në 29 për qind të aktiviteteve të monitoruara.

Megjithatë DnV-ja fushatën e vlerësoi të qetë dhe me shpalosje të lirshme të programeve zgjedhore dhe me mospengim të punës së gazetarëve.

Sipas Ismet Kryeziut “Demokracia në Veprim” zgjedhjet e nesërme do t’i mbikëqyrë me 3000 vëzhgues dhe me prani edhe në veri të vendit.