Albert Krasniqi, Demokracia në Veprim. Foto: DnV

DnV: Gurë Ndaj Një Qendre të Votimit

Albert Krasniqi nga Demokracia në Veprim tregoi të gjeturat e deritanishme në dy orët e para të hapjes së vendvotimeve në 19 komunat e Kosovës.

Krasniqi tha se DnV ka gjetur disa parregullsi në proces të votimit përshirë edhe vonesa në hapjen e vendvotimeve.

Sipas tij, është vërejtur mungesë e materialeve zgjedhore në 60 vendvotime ndërsa mungesa më e madhe e materialeve është vërejtur në Gjilan e Mitrovicë.

Në disa vende, sipas Krasniqit, është vërejtur prani e më pak se 3 komisionerëve në qendrat e votimit ndërsa në disa qendra në Mitrovicë, Prishtinë, Gjakovë e Gjilan është vërejtur prani e personave të paautorizuar në qendra të votimeve.

Krasniqi tha gjithashtu se në Klinë, një qendër e votimit është gjuajtur me gurë nga jashtë ndërsa nuk është identifikuar ende ndonjë i dyshuar për këtë akt.

Krasniqi tha se në Istog disa persona kanë votuar jashtë kabinave të votimit në një qendër votimi.