Albert Krasniqi, DnV.

DnV: Dyfishim i Parregullsive, Pjesëmarrja Rreth 35 %

Sipas rrjetit të OJQ-ve vendore që po vëzhgon zgjedhjet e sotme, Demokracia në veprim, nga ora 12:00 deri në orën 17:00 numri i parregullsive është dyfishuar, ndërsa pjesëmarrja e votuesve në nivel vendi është 34.6%.

Në konferencën e DnV-së, Albert Krasniqi tha se deri në orën 17:00 në nivel vendi kanë dalë 34.6% e votuesve. Ai përmendi qendrat më të mëdha të përqindjes së daljes në votme.

Sipas Krasniqit, në Prishtinë deri në orën 17:00 kanë dalë 38% e votuesve, në Ferizaj 34%, në Mitrovicë 32.4%, në Gjilan 27.4% dhe në Prizren 23.6%.

Ai shtoi se ka dyfishim të parregullsive, të cilat ishin raportuar deri në orën 12:00.

Dër parregullsitë e përmendura ishin vështirësitë në gjetjen e emrave të votuesve në librat e votmit, ku tha se prinë Mitrovica me 25 vendvotime, pasuar me Prishtinën me 21 vendvotime, Podujevën me 20 dhe Prizrenin me 15.

Po ashtu si parregullsi të procesit zgjedhor listoi edhe votimin familjar, me total 116 vendvotime në nivel vendi. Krasniqi tha se këtu prin Ferizaj, më pas vjen Gjakova, Mitrovica dhe Prishtina.

Dhe si parregullsi të tretë përmendi fotografimin e votës, në gjithsejt 54 vendvotime. Në këtë dukuri prin Prishtina, më pas Gjakova, duke u pasuar me Gjilanin dhe Ferizajn.