VIDEO: Mënyra se si Policia Zbuloi Vrasjen në Albi Mall

Ekipet e Rubrikë “Policia” kanë ndjekur nga afër mënyrën sesi Policia e Kosovës kishte zbuluar njërën nga vrasjet më të komentuara në kryeqytet. Rojtari i njërës nga qendrat tregtare në dalje të Prishtinës ishte vrarë gjatë  një përleshjeje me grabitës të armatosur të cilët po planifikonin grabitjen e një arke me para.

Ekipi i rubrikës Policia kishte ndjekur nga afër momentet kur policia identifikon agresorët dhe aksionin e arrestimit të tyre. Pjesë e filmimeve ishin edhe momentet kur policia zbulon vendndodhjen e armës së krimit një revole e bardhë e cila ishte fshehur nga dorasi në një deponi mbeturinash. Siç shihet në pamjet e transmetuara kërkimi për revolen zgjatë disa minuta deri më momentin kur njëri nga të dyshuarit zbulon vendndodhjen e saktë të saj.

Pjesë e filmimeve janë edhe mënyra se si policia i shoqëron nënë masa të rrepta të sigurisë dorasit e këtij krimi.

Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me burgim katë të akuzuarit për vrasjen e rojtarit Nazmi Ramadanit në fund të marsit të vitit 2015.

Gjykata dënoi Leutrim Sadikun me dënim unik 20 vjet e 6 muaj burg, Liridon Bekëm me 17 vjet e 6 muaj burg, Shpëtim Cakollin me 15 vjet burg dhe Anduan Rexhepin me 4 vjet e 6 muaj burg.

Të katërve do t’u llogaritet në dënim edhe koha e qëndrimit në paraburgim.

Nën këtë masë sigurie Shpëtim Cakolli qëndroi nga 8 prilli i vitit 2015, Liridon Beka e Leutrm Sadiku nga 10 prilli i 2015-ës, ndërsa Ajduan Rexhepi nga 4 prilli i atij viti.

Gjithashjtu gjykata vendosi të konfiskohet arma me numër Ev1341927 si mjet me të cilin është kryer vepra penale, ndërsa vetura BMË X5 iu kthye pronarit.

Sipas aktakuzës, Shpëtim Cakolli, Liridon Beka, Leutrim Sadiku akuzoheshin për vjedhje  grabitqare në lokalin “Don Café”, në “Albi Mall”, e cila rezultoi me një përleshje ku mbeti i vrarë Nazmi Ramadani.

I akuzuari i katërt, Anduan Rexhepi, sipas prokurorisë ishte në rolin e shoferit dhe akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në momentin kur grupi kishte arritur në katin e tretë të qendrës tregtare,  dhe e kishin zbuluar arkën ku mbahej pazari ditor, roja tani i ndjerë i kishte vërejtur dhe kishte filluar një përleshje me ta. Në konfrontim e sipër, sipas Prokurorisë, njëri nga të akuzuarit kishte shtënë katër herë në të ndjerin.