Gratë, Viktimat e Pabarazisë

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetoi hulumtimin i cili tregon për gjendjen në të cilën jetojnë shumë gra në Kosovë, sidomos për ato gra të cilat nuk kanë prona të regjistruara në emrin e tyre.

Hulumtimi flet për problemet në vonesat në plotësimin dhe zbatimin e legjislacionit, ku  hyjnë edhe shumë ligje që rregullojnë të drejtat pronësore dhe procedurat për të fituar të drejtën themelore, atë të trashëgimit të pronës.

Poashtu të gjeturat në teren dëshmojnë se gratë viktima të dhunës në mungesë të pronave detyrohen të braktisin shtëpitë dhe të ballafaqohen më vështirësi në sigurimin  strehimit dhe të jetesës për vete dhe fëmijët e tyre.

Hulumtimi i ekipit të “Drejtësia në Kosovë” tregon edhe për njerëzit e ligjit, gjyqtarët dhe prokurorët, për regjistrimin e pasurive të tyre sipas ligjeve në fuqi.

Po ashtu emisioni sjell dhe intervistat me përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile të cilët kanë dhënë rekomandimet e tyre për rregullimin e ligjeve që do të garantonin që pronat të regjistrohen në emrin e të dy bashkëshortëve dhe poashtu do t’u garantojë të drejtën e grave dhe vajzave në trashëgimi.

Në fund të emisionit në rubrikën “Policia” shfaqen pamje ekskluzive nga aksioni i policisë në kapjen e 130 kilogramëve narkotikë. Pamjet ekskluzive tregojnë për teknikat dhe mënyrën që kanë përdorur trafikantët në fshehjen e narkotikëve.