Alarmante: Abuzimi me Fëmijët e Braktisur

Hulumtimi disa javor solli detaje rreth dyshimeve të ngritura për keqpërdorime gjatë trajtimit të fëmijëve të braktisur nga prindërit biologjikë.  Dëshmitë e mbledhura treguan për neglizhencë dhe injorim të procedurave ligjore gjatë strehimit të fëmijëve në familje strehuese.

Sipas rreg­­ullave ligjore në fuqi, fëmijët e braktisur mund të strehohen në “SOS fshatra”, apo te familjet strehuese. Këto familje kanë për obligim të kujdesen për rritjen e fëmijëve deri në momentin kur fëmija kthehet te dy apo njëri prind biologjik, apo kur për ta të gjenden prindërit adoptues. Për këto shërbime shteti ka garantuar një pagesë prej 150 euro për familjet strehuese për secilin fëmijë të strehuar.

Të gjeturat nga hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë” ngritën alarmin se si një vajzë rreth shtatë muajshe e cila ishte e vendosur në një familje strehuese është shtrirë tri herë radhazi në Qendrën Klinike Universitare në gjendje të rëndë shëndetësore. Dyshimet e mjekëve ishin për kequshqyerje dhe aspirim të ushqimit.

“Rasti te ne në klinikë ka ardhur si një rast me asfiksion, apo ne i themi depërtim i masës ushqimore në rrugët e frymëmarrjes. Doktorët të cilët e kanë mjekuar edhe në intensivë, edhe ata në neuropediatri, kanë rezerva se në atë se faktori traumë e ka shkaktuar gjendjen e rënduar shëndetësore  të fëmijës”, ka deklaruar për emisionin “Drejtësia në Kosovë”, Muharrem Avdiu, drejtor i Klinikës Pediatrike të QKUK-së.

Kujdestarja e fëmijës së shtrirë në spital nuk thotë se fëmijën ia kishin dhënë të sëmurë, punëtorët socialë.

“Kur e kam marrë unë fëmiun, ka qenë si mos me pasë qafë hiq, i bënte koka sa anej-këtej. I thash punëtores sociale fëmija nuk qenka mirë, më tha në rregull është vetëm eshtrat e butë i ka pak”, ka deklaruar T. Gj., nga familja strehuese ku vajza 7 muajshe ishte sëmurë.

Sipas nënës kujdestare, ajo e kishte dërguar në spital fëmijën vetëm disa javë pasi e kishte marrë nën përkujdesje. Por, ajo ka deklaruar se asnjë të dhënë apo dokumentacion për fëmijën punëtorët social nuk i kishin dhënë me kohë, madje as fletëlëshimin pas lindjes së tij në QKU.

Deklaratat e nënës strehuese

Deklaratat e nënës strehuese se fëmija ishte i sëmurë para se ta merrte në strehim, i mohon drejtori i qendrës për punë sociale në Komunën e Prishtinës, Vehbi Mujku.

“Nuk është punëtori social ai i cili mund ta vlerësojë gjendjen shëndetësore të një fëmije.  Ne këtë fëmijë e kemi pasur në trajtim, është një periudhë, sepse fëmija ka lindur në muajin e pestë. Por pastaj ka lindur nevoja për hospitalizim. Dhe në momentin kur familja deklarohet se nuk mund ta mbajë më atë fëmijë, për shkak se gjendja iu ka vështirësuar, gjendja është e rëndë ne edhe obligohemi që ta marrim atë fëmijë nga ajo familje”, ka deklaruar Mujku.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, vajza 7 muajshe ishte shtrirë në gjendje të rëndë dhe kishte pasur një ndërhyrje të rëndë kirurgjike pasi kishte gjakdredhje në tru.

“Mjekët e kanë operuar në mënyrë që të zvogëlohet sasia e gjakut në zonën e trurit dhe që të mos jetë ajo rrezik për jetën e fëmijës.  Pastaj edhe pas operacionit është provuar rezonanca magnetike dhe është parë se pse vazhdon gjakderdhja në zonën e trurit”, ka thënë doktor Avdiu.

Mjekët nuk kishin mund ta përcaktojnë se prej nga erdhi gjakderdhja e fëmijës. Por sipas të gjeturave të emisionit, nëna kujdestare e vajzës së braktisur e kishte dhënë një deklaratë mjaftë shqetësuese. Ajo para mjekëve e kishte pranuar se fëmija iu ka rrëzuar nga ulësja.

“Kam qenë duke i ushqy fëmijët, edhe fëmija është rrezu, por ka qajtë si çdo herë tjetër. Më vonë fëmija ka aspiru edhe e kam dërgu në spital. Kam dhënë deklaratë se fëmija është rrëzu por asgjë s`ka ndodhur. Ata e dinë punën e vet, unë ju kam thënë se nëse vetëm një shenjë të dhunës e gjeni tek fëmija unë këtu jam”, ka deklaruar ajo.

Për dyshimet e lëndimit të fëmijës, dhe deklaratën e nënës kujdestare se fëmija është rrëzuar, askush nga mjekët dhe as nga punëtorët socialë nuk e kanë njoftuar Policinë.

“Në momentin që fëmija dërgohet në spital, janë mjekët ata që e vlerësojnë nëse ka nevojë të njoftohet Policia, apo jo”, ka deklaruar drejtori i QPS, Vehbi Mujku.

Policia e Kosovës

Se a është njoftuar, Policia, apo jo, drejtori i Klinikës Pediatrike Muharrem Avdiu thotë se nuk ka informata.

“Me sa di unë policia nuk është marrë me rastin,  por unë si kam ndoshta informatat e plota”, ka deklaruar Avdiu.

Hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”, faktoi edhe parregullsi tjera në rastin e vajzës së braktisur 7 muajshe. Ajo rezulton t’i ketë tri data të lindjes.

“Për një fëmijë i kam tri data të lindjes. Unë nuk e kam ditë datën e lindjes saktë, po ta kisha ditur do ta kisha treguar sikurse për fëmijët tjerë. Se kam ditë sepse asnjë të dhënë për fëmijën që e kisha në strehim se kam pasur, sepse punëtorët social nuk mi kanë dhënë derisa fëmijën e kam dërguar në spital”, ka deklaruar T.Gj.

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale Vehbi Mujku ka thënë se në rastin konkret mund të jetë bërë ndonjë gabim.

“Manipulimi me data të lindjes është vepër penale. Në rastin konkret ka mund të ndodhë ndonjë gabim. Mirëpo duhet ta verifikojmë dosjen dhe të shohim nëse është përmirësuar ai lëshim apo jo”, ka deklaruar Mujku.

Nënës strehuese i kishte rastisur që edhe në një rast tjetër asaj t`i ofrohej për strehim në fëmijë me probleme shëndetësore.

“Unë e kam pas edhe fëmijë tjetër të sëmurë, edhe e kom njoftu Vehbi Mujkiun edhe s`kanë bërë asgjë, ka qenë fëmijë gishtat gati duke ju këputë edhe unë e kam dërgu te mjeku edhe ma kanë dhënë për fëmijë të shëndoshë, por ai është vërtetuar më pas se është me aftësi të kufizuara”, ka deklaruar ajo.

Për të gjitha pretendimet e nënës strehuese, zyrtarja e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale Magbule Koci, ka deklarua për “Drejtësia në Kosovë” se do të nisin hetimet për të parë se çka realisht ka ndodhur më rastin e vajzës së braktisur 7 muajshe e cila tri herë radhazi ishte hospitalizuar në gjendje të rëndë në QKUK.

Flamuri i Izraelit, Foto: Eduardo Castro

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken gjatë Samitit të G7-ës që po mbahet në Itali, është pyetur në lidhje me sulmin që raportohet se bëri Izraeli ndaj Iranit, nëse SHBA-ja ishte njoftuar paraprakisht.

Blinken refuzoi të përgjigjet, përveçse ka thënë se SHBA-ja “nuk ka qenë e përfshirë në asnjë operacion sulmues”, raporton media britanike BBC.

Ai thotë se SHBA dhe G7-a janë fokusuar në punën për të ulur tensionet dhe “çdo konflikt të mundshëm”.

Blinken shton se Izraeli ishte goditur nga një “sulm i paprecedentë” dhe se SHBA-ja është e fokusuar në “të sigurohet që Izraeli të mund të mbrohet”.

Një raketë izraelite e ka goditur Iranin, i kanë thënë dy zyrtarë amerikanë partnerit amerikan të BBC-së, CBS News, më 19.04.2024.

Mediat shtetërore iraniane citojnë raporte të pakonfirmuara për shpërthime në provincën qendrore të Isfahanit, por kanë minimizuar raportet për një sulm. Izraeli nuk ka komentuar zyrtarisht ngjarjen.

Kryeqyteti iranian, Teherani ka pohuar se ishte hakmarrje për një sulm ajror të supozuar izraelit në konsullatën e tij në Siri më 01.04.2024 në të cilin u vranë 13 persona./BBC

Përgatiti: Emirjeta Vllahiu 

https://kallxo.com/lajm/bote/g7-denon-sulmin-e-paprecedente-te-iranit-ndaj-izraelit-thote-blinken/