Dita Kritike - Çfarë Pritet të Ndodh Nesër në Kuvend e Qeveri?

Që nga e premta, kur kryesia e kuvendit caktoi seancën për mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë, partnerët e koalicionit kanë intensifikuar takimet mes vete me praninë e ambasadorit amerikan, takime të ndara me faktorin ndërkombëtarë e po ashtu kanë pasur takime edhe me strukturat e partive të tyre.

I fundit, ishte ai sot i Grupit Parlamentar të LDK-së me Isa Mustafën, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori Greg Delawie. Kryeministri Mustafa pritet që takime me strukturat e partisë së tij (LDK) të zhvillojë edhe nesër.

Ndërsa që në 8 të mëngjesit, PDK pritet të mbledhë Këshillin Drejtues të Partisë, e pas kësaj, Grupin Parlamentar, për të marrë vendimin nëse do të votojnë pro apo kundër mocionit.

Pak orë më herët, kreu i PDK-së në komunikatën e lëshuar për medie, ka paralajmëruar se nëse Kryeminsitri nuk e procedon Demarkacionin para Mocionit “PDK duhet të lëvizet përpara në rrugëzgjidhje tjera”.

Sipas kësaj, PDK lë të kuptohet se ka gjasë të votojë rrëzimin e qeverisë. Kjo pasi Kryeministri Mustafa ka thënë se Demarkacionin e procedon tek pas votimit të Mocionit. Kësisoji partnerët e koalicionit brenda ditës kanë dalë me qëndrime të kundërta.

LDK po e përsëritë që marrëveshja me PDK-në përcakton se partnerët nuk do të përkrahin mocionet e nicuara nga opozita, dhë kësisoj qeveria nuk do të rrëzohet. Por, marrëveshjet politike nuk kanë impakt ligjor dhe të tillat respektohen vetëm nëse ka vullnet të dyanshëm, ndryshe secila palë mund ta “tradhëtojë” palën tjetër.

Të hënën e kaluar, mbledhja e qeverisë u anulua dhe ekzekutivi parlajmëroi se e njejta, ku pikë e rendit të ditës do të jetë procedimi i demarkacionit, do të mbahet të mërkurën. Por, ende nuk ka njoftim zyrtar për kohën e mbledhjes.

http://kallxo.com/veseli-e-mustafa-qendrime-te-ndryshme-per-procedimin-e-demarkacionit/