Dita e Tokës Shënohet me Drekë të Kushtueshme

Edhe pse Kosova vuan nga ndotja e ajrit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e drejtuar nga Ferat Shala, nuk e ka pasur problem që t’i shpenzojë mbi 12 mijë euro për të shënuar 5 Qershorin – Ditën Botërore të Mjedisit.

Për ta shënuar këtë ditë Ministria kishte organizuar një koktej për 110 pjesëmarrës, me ç’rast ishin shpenzuar 593 euro, ose 5.40 euro për person.

Përveç koktejit, Ministria ka shpenzuar edhe 900 euro për furnizim me materiale, pa specifikuar më tutje se për çfarë lloj materialesh bëhet fjalë.

Ndërsa 870 euro të tjera kanë shkuar për bluza.

Përveç kokteiit e bluzave, aktiviteti më i shtrenjtë i Ministrisë për të shënuar këtë ditë ka qenë aktiviteti i prokurimit me titull “Shënimi i ngjarjeve mjedisore dhe fushatave mediale për AMMK”, që ka kushtuar plot 9 mijë e 985 euro, aq sa edhe ishte parashikuar në kontratë. Kompania fituese e këtij tenderi ka qenë “Adco & In design”.

KALLXO.com i ka shkruar Ministrisë së Mjedisit për të parë se çfarë ngjarjesh janë paraparë të shënohen me këto shpenzime.

Në Ministri thonë se në kuadër të këtij aktiviteti është paraparë që të shënohen ngjarje nga kalendari mjedisor dhe për shënimin e 10-vjetorit të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit.

“Në kuadër të aktivitetit është paraparë që të shënohet dhe të promovohen ngjarje nga kalendari mjedisor për muajin qershor dhe shënimi i 10-vjetorit të themelimit të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, që shënohet po ashtu gjatë muajit qershor 2017”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Në këtë tender përfshihen këto aktivitete: Organizimi i një eventi me karakter garues në fushën e artit që përmes punimeve të nxënësve që përçon një mesazh shumë domethënës për ruajtjen e mjedisit, tenda për mbulimin e hapësirave të ndryshme, binë për manifestime të ndryshme dhe realizimi i mini-dokumentarit për tërë aktivitetin, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për KALLXO.com.

Me gjithë faktin se për Ditën e Mjedisit janë shpenzuar 12 mijë e 348 euro gjendja mjedisore në vend nuk është në nivelin e duhur.

Emisioni “Jeta në Kosovë” ka shfaqur hulumtimin e saj për parkun e ndotjes në Drenas.
Shteti i Kosovës deri më tani ka paguar 548 mijë euro për ndërtim të impianteve dhe shtrirje të kanalizimit për nevoja të Parkut të Biznesit. Ajo çfarë ka ndodhur është ndërprerë kanalizimi në mes të fshatit dhe nuk është ndërtuar impianti. Për pasojë të gjitha ujërat e zeza që vijnë nga Parku i Biznesit dhe kanalizimi i fshatit përfundojnë në mes të fshatit Korreticë e Epërme të Drenasit.

http://kallxo.com/gjnk/parku-ndotjes-ne-drenas/

Sipas një raporti të Agjencisë së Statistikave një qytetar i Kosovës “prodhon” gjysmë kilogrami mbeturina.

http://kallxo.com/nje-kosovar-prodhon-gjysme-kilogrami-berllok-ne-dite/

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka shkruar edhe për një rrezik tjetër që vjen nga mbetjet shtazore në fshatin Palaj të komunës së Obiliqit, e që janë një rrezik potencial për shëndetin e atyre banorëve.

http://kallxo.com/gjnk/hedhja-e-mbetjeve-shtazore-kercenon-shendetin-ne-kosove/

Dimrin që sapo lamë pas, ndotja e ajrit në vend kishte thyer rekorde negative. Kryeqyteti kishte qenë një prej vendeve më të ndotura, aq sa MMPH kishte udhëzuar qytetarët që të mos bëjnë aktivitete fizike në ambiente të hapura.

http://kallxo.com/ndotja-e-ajrit-ne-prishtine-shifra-rekorde/

5 Qershori është Dita Ndërkombëtare e Mjedisit, e cila është caktuar mbi 30 vjet më parë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me qëllim për të shtuar vetëdijen rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim.