Dita e Takimeve të Mbyllura në Kuvend e Jashtë Tij

Mbledhja e qeverisë e paralajmëruar për orën 10:00, mblodhi vetëm ministrat e partisë së Kryeministrit, e ky i fundit në këtë kohë ishte në takim me kryeparlamentarin e ambasadorin amerikan.

Pas afër një orë pritjeje, mbledhja u shty, e ministrat e LDK-së dolën nga salla e mbledhjeve të ekzekutivit, ndërsa shefi i tyre, vazhdonte takimin në kabinetin e Kadri Veselit.

Pasi u dakorduan që demarkacionin ta procedojnë pas mocionit, ambasadori Greg Delawie e Kryeministri Isa Mustafa, dolën nga ndërtesa e Kuvendit.

Ky i fundit u nis për në zyrat e LDK-së, ku kishte thirrur mbledhjen e kryesisë së partisë.

Derisa Mustafa ishte në “takimin joformal” me kryesinë, qeveria përmes një komunikate njoftoi mediat se mbledhja për procedimin e demarkacionit do të mbahet të mërkurën, pas mocionit.

“Pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit qeverisës PDK-LDK, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e ShBA-së, është arritur dakordimi që mbledhja e kabinetit qeveritar ku do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin të mbahet pas seancës së Kuvendit që do të zhvillohet të mërkurën”, thuhet në komunikatë.

E takimin e LDK-së të parët e lëshuan Skender Hyseni e Agim Veliu, por nuk thanë asnjë fjalë për medie.

Në fund doli edhe Kryeministri, i cili kishte autorizuar ministrin Arban Abrashi të flasë për medie, e ky i fundit takimin e LDK-së e quajti “takim joformal”.

Abrashi nuk ishte shumë i qartë kur foli për arsyet që shtynë mbledhjen e qeverisë për demarkacionin.

“Nuk e di, çështje e diskutimeve të brendshme. Ajo çfarë dihet është se demarkacioni është në rend dite dhe do të kalojë pas së mërkurës”, tha ai.

Derisa për mocionin tha se besoj që nuk do të kalojë, për votat e deputetëve të LDK-së rreth ratifikimit të demarkacionit, Abrashi e deklaroi të kundërtën.

“Besoj që i kemi, i kemi votat [e deputetëve të LDK-së]. Me rëndësi me u largu vizat e qytetarët me udhëtu lirshëm pas 90 ditëve”, përfundoi ai.