Nga takimi i korrikut 2017 Thaçi- Vuçiq. Foto: BE

Diskutimi: Kosova e Papërgatitur për Sfidat e Dialogut

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) në një raport rreth konsensusit dhe formatit të ri të dialogut të Brukselit Kosovë- Serbi konstatoi se përfshirja e presidentit në dialog është e paqëndrueshme.

Agron Bajrami, kryeredaktori i Gazetës Koha Ditore dhe autor i raportit tha se presidenti nuk ka përkrahje në shumicën parlamentare te partitë opozitare shqiptare.

“Mendoj se do të duhej të ishte e domosdoshme kushdo që ta udhëheqë dialogun të ketë një përkrahje të tillë”, tha Bajrami.

Sipas tij, edhe Qeveria e Kosovës po ashtu ka problem me atë shumicë dhe nuk duket se ka edhe shumë motiv ta marrë udhëheqjen e dialogut, apo të jetë e përfshirë siç ka qenë qeveria para saj.

Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel do të përfundojë deri në vitin 2019 dhe se Kosova aktualisht nuk ka konsensus se si duhet të ecet përpara në këtë drejtim.

Edhe kryetarët e grupeve parlamentare të subjekteve politike ishin të pranishëm në diskutim.

Glauk Konjufca, kryetar i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se në dialogun në vazhdim Kosova duhet t’i shmangë gabimet që i ka bërë në të kaluarën.

Ai përmendi si gabim marrëveshjen për energjinë në të cilën tha se Kosova e ka njohur mosnjohjen e saj prej Serbisë.

Sipas tij, në vitin 2018 Kosova do të ndodhet përpara një sfide nga Serbia për të cilën nuk do të jetë e gatshme.

“E para Serbia është e gatshme me ndryshu kushtetutën dhe me heq Kosovën nga kushtetuta e saj. E dyta Serbia mund të shkojë deri në kompromisin e tërthortë mos me njohur Kosovën drejtpërdrejt, por me ia leju një ulëse në Kombet e Bashkuara. Nëse Serbia i bën këto dyja, unë mendoj që Kosova do të jetë në presion”, tha Konjufca.

Sipas tij, nëse krijohet shteti i Serbisë brenda Kosovës, atëherë përfundon gjithçka, e nëse Serbia nuk na njeh, atëherë ka shpresa për kompletimin e shtetësisë së vendit tonë.

Avdullah Hoti shef i grupit parlamentar të LDK-së, ka vlerësuar që qeverisja aktuale është më e dobëta deri më tani, e varur komplet prej minoritetit serb.

Gjithsesi sipas tij, dialogu do të duhej të udhëhiqej nga qeveria, sado e brishtë që është, por me një rol të Kuvendit.

“Po shkojmë drejt fazës finale të dialogut me Serbinë, por në këtë fazë finale ne si institucione jemi shumë të papërgatitur. Qeveria e Kosovës është me dobëta që ka pasur Kosova që prej vitit 1999. Ka mungesë të seriozitetit ndaj këtij procesi shumë të rëndësishëm”, ka thënë Hoti.

E Ahmet Isufi, shef i grupit parlamentar të AAK-së tha se në dialog duhet të mos bisedohet për çështje të brendshme të Kosovës.

“Duhet të bisedohet për normalizim të marrëdhënieve, e jo për punë të brendshme të Kosovës”, tha ai.

Isufi kërkoi prani të ShBA-së në dialogun Kosovë-Serbi. Sipas Isufit pa ShBA-në që kanë qenë faktor vendimtar për liri e pavarësi, nuk mund të ketë dialog.

“Është koha kur duhet një dialog krejt tjetër”, konstatoi Isufi.