Ilustrim

Diskriminimi i Shumëfishtë i Grave; në Punë dhe në Punësim

Diskriminimi i grave në vendin e punës, kujdesi ndaj fëmijëve dhe të moshuarve në shtëpi, pushimi i lehonisë dhe një sërë faktorësh diskriminues janë pengesë e grave për t’u aktivizuar në tregun e punës, thuhet ne raportin “Joaktiviteti i grave në tregun e punës” i publikuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D).

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, theksoi se për aktivizimin e grave në tregun e punës nuk mjafton vetëm përkrahja institucionale por nevojitet edhe përkrahja e shoqërisë.

“Ne kemi legjislacion për barazi gjinore por shpesh konkurrenca në treg nuk e lejon këtë barazi. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës vetëm 10% e grave punojnë, por për ngritje të tyre nuk mjafton vetëm aktivizimi institucional, por nevojitet edhe aktivizimi i shoqërisë si edukimi i tyre për t’u dhënë kurajo grave për aktivizim”, tha Beqaj.

Ai shtoi se Fondi për Inovacione dhe Ndërmarrësi nuk ka për qëllim vetëm zhvillimin e sektorit të teknologjisë informative por edhe për ndërmarrësi, andaj ai u bëri thirrje grave që t’i shfrytëzojnë mundësitë për të gjetur mbështetje në idetë e tyre për biznese.

“Buxhetin e kemi prej 9.2 milionë euro për vitin 2018, por sipas kontakteve që kemi pasur shpresoj se buxheti jonë do të arrijë në 20 milionë euro. Ne nuk do të përkrahim makineri, pajisje pune, ne do të financojmë ide, do të financojmë dije”, tha Beqaj.

Raporti i publikuar sot thotë se Kosova qëndron në vendin më të lartë në rajon për mosaktivitet të grave në punë ndërsa ndër faktorët që pengojnë aktivizimin e grave në tregun e punës janë faktori kulturor dhe shoqëror, diskriminimi gjinor në vendin e punës, lehtësira e politikave për përfshirjen e grave ne tregun e punës si dhe pushimi i lehonisë sidomos në sektorin privat.

Si sfide tjetër e grave për mos kërkim të një pune është edhe obligimi i tyre për t’u kujdesur për fëmijë dhe të moshuarit në shtëpi, kurse si arsye tjetër gratë mendojnë se nuk ka vende pune.

Rreth 60 përqind e grave, sipas raportit, mendojnë se ka diskriminim në procesin e punësimit, ndërsa këtë mendim më së shumti e kanë gratë amvise.

Sipas raportit trajtimi i barabartë dhe paga e barabartë do t’i inkurajonte ato për të konkurruar në tregun e punës.