Diskriminimi Gjinor në Zgjedhjet Lokale dhe Qendrore

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari thotë se partitë politike në dy palë zgjedhjet e fundit nuk e kanë respektuar përfaqësimin e barabartë gjinor.

“Në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale të këtij viti nuk është plotësuar përfaqësimi i barabartë gjinor”, ka theksuar Jashari gjatë diskutimit “Barazia Gjinore, e drejta në regjistrim të pronës së përbashkët në emër të dy bashkëshortëve”.

Ai e pranoi që ka përmirësime në aspektin e barazisë gjinore, e sa i përket Udhëzimit Administrativ 03/2017, Jashari tha se nuk mund të quhet masë afirmative.

Duda Balje, kryetare e Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut tha se problemi i parë i Kosovës janë ligjet.

“Situata këtu është alarmante se gruaja nuk punon, punon në shtëpi e ajo punë nuk çmohet. Unë nuk di ndonjë rast nga zonat rurale që bashkëshorti ta regjistrojë pronën në emër të përbashkët”, ka thënë Balje.

Luljeta Domaniku, këshilltare e lartë ligjore tek Avokati i Popullit tha se ka një nivel shumë të ulët të kërkesave nëpër komuna për regjistrimin e pronave në emër të të dy bashkëshortëve.

Në vitin 2016 në Prishtinë, sipas saj, kanë qenë 66 kërkesa për regjistrim të pronës në emër të të dy bashkëshortëve. Kurse, në komunën e Ferizajt gjatë vitit 2016 janë pranuar 201 kërkesa për regjistrim të pronës në emër të përbashkët kurse në komunën e Graqanicës janë realizuar vetëm 35 kërkesa.

“Udhëzimi Administrativ 03/2016 është miratuar në vitin 2016. Qëllimi i këtij udhëzimi ka qenë të ndikohet në rritjen e numrit të regjistrimit të pronës në emër të përbashkët. Problemi i komunave është shikimi i të dhënave në mënyrë manuale e jo në mënyrë elektronike”, është shprehur Domaniku.

Pjesë e këtij diskutimi ishte edhe Habit Hajredini, nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Ai tha se e drejta për pronë nuk është vetëm në Kushtetutë por është e drejtë që garantohet edhe me konventat ndërkombëtare.

“Ne që punojmë në institucione publike duhet të jemi shembuj të mirë për të tjerët”, është shprehur Hajredini.

Tri ligje bazike për të drejtat e njeriut të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës të cilat janë në fuqi nga 13 korriku i vitit 2015, e përcaktojnë Avokatin e Popullit si mekanizëm për trajtimin e rasteve që kanë të bëjnë me diskriminimin dhe në mesin e tyre edhe për trajtimin e rasteve të barazisë gjinore.