Foto: REL/Reuters

Diplomatët Rusë do të Largohen Sot nga Britania

Diplomatët e dëbuar nga Britania në lidhje me helmimin e dyshuar të Rusisë ndaj ish-spiunit rus, do të largohen sot për në Moskë, teksa Këshilli për Siguri Kombëtare i Britanisë do të diskutojë për masat e tjera ndaj Rusisë për këtë incident.

Tensionet në mes të Londrës dhe Moskës vijnë në kohën kur Bashkimi Evropian dhe NATO kanë shprehur solidaritetin me Britaninë dhe kanë dënuar fuqishëm sulmin më 4 mars ndaj Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia, me agjent nervor që është prodhuar nga ushtria ruse.

Pas një takimi në Varshavë më 19 mars, kancelarja gjermane Angele Merkel dhe homologu i saj polak kanë shprehur rëndësinë që blloku duhet të veprojë si një trup i vetëm, në përgjigje ndaj këtij incidenti.

“Informata serioze sugjerojnë se Rusia ka të bëjë me këtë. Tash është në dorën e Rusisë që të vërtetojë se nuk ka gisht në këtë rast”, ka thënë Merkel.

“Ne pajtohemi që Bashkimi Evropian duhet të japë një përgjigje të fortë dhe jo vetëm simbolike”, ka thënë kryeministri polak, Mateusz Morawiecki.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se aleatët e NATO-s janë të bashkuar “në dënimin e këtij sulmi”, të cilin ai e cilësoi si “ndërhyrje të papranueshme në normat dhe rregullat ndërkombëtare”.

Ndërkaq, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, përmes një deklarate kanë thënë se blloku “i marrin me seriozitet të gjeturat e qeverisë britanike se ka gjasa shumë të mëdha që Federata Ruse është përgjegjëse”.

Sergei Skripal, 66-vjeç dhe vajza e tij Yulia 33-vjeçe, vazhdojnë të jenë në gjendje kritike, pasi u gjetën pa ndjenja në qytetin britanik Salisbury. Britania thotë se ata i janë ekspozuar një agjenti nervor të prodhuar në kohën sovjetike të quajtur Novichok, dhe fajësojnë Moskën për sulmin. Rusia mohon çdo përfshirje në këtë incident.

“Jetët e shumë qytetarëve janë kërcënuar nga ky akt i paligjshëm”, kanë thënë ministrat e BE-së.

Ministria e Jashtme ruse ka thënë se këto komente janë “anti-ruse”.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi TASS, ka raportuar se 23 doplomatët e dëbuar nga Britania do të fluturojmë më 20 mars së bashku me familjet e tyre për në Moskë. Rusia po ashtu është kundërpërgjigjitr, duke dëbuar 23 diplomatë britanikë.

Shefi i NATO-s, Stoltenberg ka thënë se sa i përket helmimit të ish-spiunit, “deri më tani Rusia ka shfaqur shpërfillje ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.

Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson ka thënë se “ka shumë gjasa” që presidenti rus, Vladimir Putin të ketë marrë vendimin që agjenti nervor të përdoret për të helmuar Skripalin, akuza këto që Kremlini ka thënë se janë “të pafalshme”.

Më 18 mars, presidenti rus, Vladimir Putin kishte mohuar akuzat e Britanisë dhe u ka thënë gazetarëve se Rusia “nuk ka” armë të tilla.

Kryeministrja britanike, Theresa May një ditë më pas kishte hedhur poshtë pretendimet e Putinit, duke i thënë Sky News se “jam e qartë se atë që kemi parë tregon se nuk ka asnjë përfundim tjetër, por Rusia është shteti përgjegjës për atë që ka ndodhur” në Salisbury.

Ndërkaq, presidenti francez, Emmanuel Macron i ka bërë thirrje Rusisë “që të hedh dritë mbi përgjegjësitë e saj për këtë sulm të papranueshëm”. Ai këto komente i ka bërë gjatë një bisede telefonike me homologun e tij rus.

Hetuesit e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike kanë nisur hetimet e tyre të pavarura. Ata kanë marrë mostra nga Salisbury për t’i analizuar.

Kremlini insiston që Britania duhet të ofrojë prova për përfshirjen e Rusisë në helimin e Skripalit dhe vajzës së tij, ose në të kundërtën duhet të kërkojë falje.

Skripal, ish-oficier rus i inteligjencës, i cili ishte dënuar më 2006 për tradhti, pasi kishte kaluar informacione të inteligjencës te shërbimi britanik inteligjencës. Ai dhe katër të burgosur të tjerë rusë ishin liruar më 2010, gjatë një shkëmbimi të 10 agjentëve rusë në Shtetet e Bashkuara.