Blerim Dina, kryetari i OShP-së | Foto: KALLXO.com

Dina: Nuk Bie Pre e Presioneve

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” në hulumtimin për tenderin e Autostradës Prishtinë- Gjilan të transmetuar të premten, shfaqi edhe intervistën me kryetarin e Organit Shqyrtues të Prokurimit Blerim Dinën.

Dina pretendon se ishte kërcënuar nga Naim Sallahu e Shaban Lushtaku në lidhje me një pjesë të këtij tenderi në vlerën e 21 milionë eurove, i cili ishte kthyer në rivlerësim nga OShP-ja.

Sipas kërkesës për caktimin e praburgimit të bërë nga prokuroria për Sallahun dhe Lushtakun, të cilën e siguroi KALLXO.com, Dina më 16 tetor ishte kërcënuar me jetë.

Prokuroria pretendon se i dyshuari Sallahu i ka thënë Dinës se “ky tender ka vlerën njëzet e një milion euro, kjo punë duhet të kryhet dhe kushton me jetë “, thuhet në kërkesën për paraburgim.

Por Dina në intervistë nuk foli për atë që ndodhi më 16 tetor. Tha se deklaratën për kërcënimin e ka dhënë në polici dhe i mbetet besnik.

Prokuroria pretendohen se Sallahu dhe Lushtaku kanë tentuar ta detyrojnë  Blerim Dinën të kryejë veprim kundër pasurisë publike në tenderin prej 21 milion eurosh.

Dosja e Prokurorisë për Kërrcënimin Ndaj Shefit të OShP-së

Prokuroria ka përshkruar se është duke tentuar të zbulojë identitetin e dy personave të tjerë të cilët dyshohet të kenë gisht në këtë rast, por të cilët ende janë të paarritshëm për prokurorinë.

Në intervistën dhënë për emisionin “Drejtësia në Kosovë”, Dina ka thënë se asnjëherë nuk do bie pre e presioneve dhe se çdo vendim Organi Shqyrtues i Prokurimit do ta marrë konform Ligjit të Prokurimit.

Intervistën me Blerim Dinën mund ta ndiqni në vijim.

https://youtu.be/07HZku0RJ0g?t=7m54s

Sallahut e Lushtakut u është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh.