Dikotomia në Lëvizjen Vetëvendosje

Ngjarjet që përkufizuan skenën politike në Kosovë gjatë dy të enjteve të kaluara, pra e enjtja e ratifikimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe ajo e amnistisë si derivat i kësaj marrëveshjeje, shfaqën një dukuri të çuditshme që mbretëron përbrenda lëvizjes Vetëvendosje. Skandalet që ndodhën gjatë këtyre dy të enjteve parlamentare, tregojnë se në Vetëvendosje ekziston një dikotomi midis arsyes e pjekurisë dhe jotolerancës e paskrupulltësisë.

Në ditën kur Parlamenti i Kosovës përgatitej të ratifikonte marrëveshjen Kosovë-Serbi, lëvizja Vetëvendosje ishte zëri i vetëm politik në vend që ishte kundër një ratifikimi të tillë. Ajo çka gjithmonë e ka bërë Vetëvendosjen të dallohet nga subjektet tjera politike në Kosovë ka qenë aftësia në paraqitje të argumenteve dhe aktivitete me peshë si: këmbëngulja për reciprocitet tregtar me Serbinë, protestat kundër 6-pikëshit, ose qëndrimet e prera në debatin për gratë e dhunuara. Vetë formimi i kësaj lëvizjeje në vitin 2005 dhe transformimi i saj në lëvizje politike në vitin 2010, ka shërbyer si një përforcues i fuqishëm i demokracisë në Kosovë.

Vetëvendosja është një subjekt politik që gëzon 12.69 për qind të votave prej zgjedhjeve në Kosovë. Mirëpo, sikur edhe të kishte 90 për qind të votave, as Vetëvendosja e askush tjetër nuk është dhe nuk mund të bëhet autoritet suprem që filtron hyrjen e deputetëve në parlament për të bllokuar çfarëdo marrëveshje. Këtu përfshihet edhe Ambasadorja Tracey Ann Jacobson, e cila u kap për filtrin e VV-së dhe u shkaktua një situatë që më së shumti e dëmton VV-në! Nëse VV-ja e akuzon qeverinë për devijim nga demokracia, atëherë bllokimi i lirisë së lëvizjes që e bënë aktivistët e VV-së atë ditë, është njashtu shkelje e demokracisë dhe pasqyrë se VV-ja nuk toleron mendimin ndryshe prej saj. Jotoleranca ndaj mendimit ndryshe shihet edhe në rastin e Alma Lamës. Flirti që VV-ja bëri me islamin radikal minon një Kosovë sekulare dhe lë të kuptojmë se për të joshur elektorat VV-ja është në gjendje të anashkalojë një deputete të veten dhe një pjesë të mendimit kosovar që tradicionalisht ka përkrahur lënien e fesë vetëm në nivel individual e familjar.

Po ashtu, me çfarë të drejte Albin Kurti e zapton mikrofonin e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, për të mos e lejuar fillimin e procesit të votimit? Që kur qenka bërë e pranueshme që në emër të mbrojtjes së Kuvendit të Kosovës të cenohet e drejta e deputetëve për votim? Në emisionin Jeta në Kosovë, Kurti potencoi se këtë gjest e bëri nga zemërimi dhe se nuk e kishte planifikuar më herët. Megjithatë, kjo deklaratë nuk e arsyeton paskrupulltësinë e tij! Ajo çka tentoi të bënte Kurti, është njëjtë sikur militantët e PDK-së kur nuk lejonin anëtarët e VV-së të votonin në zgjedhjet e 2010-tës. Sjelljet e tilla e baltosin konceptin politik të kësaj lëvizjeje dhe ia humbin legjitimitetin për të paraqitur një alternativë politike në Kosovë. 

Në anën tjetër, e enjtja e amnistisë u shoqërua me një Vetëvendosje krejtësisht tjetër, e cila duke u mjaftuar me metoda demokratike, të qeta e të matura, i vuri në pah kritikat e veta kundër ligjit. Nuk u fërfëlluan gurët, as nuk u rrëmbyen mikrofonat e sallës dhe nuk u bllokua hyrja e askujt në Kuvend, e për fat të mirë as ligji nuk kaloi siç ishte. Kësaj radhe dukej se VV-ja mori mësim nga turpi që shkaktoi në javën e ratifikimit.

Gjëja më e mirë që VV-ja bëri për ligjin për Amnisti është që u dha hapësirë lëvizjeve qytetare që të ngjizen si rezistencë. Ka një kohë të gjatë që VV-ja e jep përshtypjen se e sheh veten si sinonim të protestës në Kosovë dhe individë të këtij subjekti e kanë shndërruar protestën në pronë të VV-së. Por, VV-ja duhet ta ketë më se të qartë se ata nuk janë gardiani i vetëm kundër së keqes në Kosovë, sepse ka edhe të tjerë që janë kundër, por që nuk përkojnë me VV-në. E ky mospajtim me diskursin e VV-së është arsyeja pse njerëzit nuk dalin në protesta, sepse nuk duan të marrin ngjyrim politik, ani pse ndoshta në një rast specifik për të cilin protestohet i japin të drejtë VV-së.

Por ende na mbetet të shpresojmë se VV-ja me të vërtetë do të ketë reflektuar dhe do të jetë këndellur nga aktet e saja të turpshme dy javë më parë. E mira më e madhe që VV-ja mund t’i bëjë vetes, demokracisë në Kosovë dhe luftimit të kësaj qeverie me shumë storje korrupsioni, është të lejojë triumfin e arsyes dhe të pjekurisë mbi paskrupulltësinë dhe jotolerancën që treguan dy javë më parë!

Vetëvendosja këtë mund ta bëjë, sepse nuk është parti palaço. Ajo që eventualisht mund të shpie në ndryshkje janë sjelljet jodemokratike në emër të demokracisë.