Digjet Një Objekt në Gjakovë

Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në një objekt ngjitur me hotelin “Amsterdam”, në Gjakovë. Vatra e zjarrit është në kulmin e objektit pesëkatësh.

Komandanti i Policisë në Gjakovë, Kristë Gjokaj, ka treguar për KALLXO.com se rreth orës 16:30 kanë pranuar një informacion për një zjarr që ka shpërthyer në një objekt që gjendet në periferi të qytetit, rrugës për Prishtinë. Sipas tij, nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar.

Ekipet e Policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Komandanti Gjokaj ka thënë se ende nuk dihen shkaqet e zjarrit, por dyshohet të jetë shkaktuar nga rryma.

Sipas Kristë Gjokajt, zjarri ka kapluar objektin që është ngjitur me hotelin, por jo edhe hotelin. Objekti ku ka shpërthyer zjarri është një fabrikë tekstili.

Në vendin e ngjarjes përveç njësive të Policisë kanë dalë edhe ekipet e KEDS-it, si dhe të Zjarrfikësve, të cilët po bëjnë gjithçka për ta shuar zjarrin edhe në këto momente.

Zjarrfikësve të Gjakovës në ndihmë u kanë ardhur edhe kolegët nga Peja.

Zjarri përfundimisht është shuar rreth orës 18:00, ndërkohë që vlera e dëmeve ende nuk dihet.

Më 24 janar është bërë shkrumb nga zjarri restoranti “Kalaja”, që gjendet vetëm rreth 100 metra larg objektit që sot është përfshirë nga flaka.