Foto: BE

Dialogu me Serbinë, 'Marrëveshje të Vogla e Mosmarrëveshje e Madhe'

Shefi i Grupit Parlamentar të NISMA për Kosovën, Bilall Sherifi, tha se dialogu me Serbinë i cili filloi në vitin 2001 me tema teknike e që më vonë evoluoi në dialog politik, ka prodhuar marrëveshje të cilat, sipas tij, rrezikonin të dilnin jashtë rendit kushtetues të Kosovës.

Në këtë drejtim, ai përmendi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, për të cilën Gjykata Kushtetuese gjeti shkelje në mbi 20 pika të dokumentit.

“Kushtetuta e jonë u bë si thes që me dy këmbët hypnin në të, si thes që thonin hajt se e zë edhe këtë marrëveshje”, tha Sherifi.

Komentet e tij u bënë në një konferencë të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) rreth rolit të Kuvendit në të ardhmen e dialogut Kosovë- Serbi

“Gjithkund në botë, ministria e jashtme, qeveritë e udhëheqin dialogun, por ato ngarkohen dhe nuk bien marrëveshje të dëmshme e jo kushtetuese”, tha ai.

Sipas Sherifit, pala kosovare në këtë dialog ka pranuar “njëfarë pozicioni inferior”.

“Nga përpjekja për të prodhuar disa marrëveshje të vogla, kemi prodhuar një mosmarrëveshje të madhe. Nëse nuk ndalet kjo që Serbia t’i ndalë të gjitha veprimet kundër Kosovës dhe të kërkojmë njohje, nuk do të ketë avancim e pas 5 viteve do të vijmë prapë në një takim të tillë të themi çka mund të bëjmë tash”, tha Bilall Sherifi.

Gjatë kësaj konference, Glauk Konjufca i Vetëvendosjes tha se dialogu është zhvilluar ne një “agjendë të mbyllur”.

Ndërsa Ahmet Isufi i AAK-së sugjeroi që Kuvendi ta vëzhgojë më shumë procesin e dialogut.