Pamje nga konferenca e QKSS-së - Foto: KALLXO.com

Dialogu i Ka Ndihmuar Kosovës

Kështu vlerësoi drejtori ekzekutiv i Grupit të Ballkanit për Hulumtim të Politikave në një konferencë kushtuar dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku u diskutuan alternativat kundrejt dialogut dhe raportet e fuqisë ushtarake në rajon.

“BE dhe SHBA e trajtojnë të barabartë Kosovën me Serbinë në çështjen e dialogut. Mos të kishte qenë Kosova e angazhuar në dialog nuk do të kishte pasur të lehtë ose mundësinë që të ndalojë trenin e në veçanti ta angazhojë policinë në veri”, tha Rashiti.

Opinionisti, Dardan Velija, tha se në Kosovë është akumuluar mllef karshi Serbisë, e në vendin fqinj përmes propagandës është krijuar urrejtje e madhe ndaj vendit tonë.

“Në Kosovë për shkak të një politike armiqësore dhe destruktive të Serbisë kundrejt Kosovës këto 16 vitet e fundit, por edhe për shkak të një perceptimi se Kosova na ka poshtëruar për 100 vjet, është akumulu një mllef i madh kundër Serbisë, dhe besoj është një konkluzë që nxirret në ndonjë studim që bëni. Në Kosovë ka mllef për Serbinë. Në Serbi, në  anën tjetër, për shkak të një propagande dyshekullore, e cila është bërë që të justifikohet ekspansioni territorial serb, është kriju një frikë e pajustifikueshme, e cila ka gjeneru një urrejtje të madhe për shqiptarët”, tha Velija.

Drejtoresha e organizatës joqeveritare “Aktiv”, me seli në Veri të Mitrovicës, Milica Andriq, tha se dialogu do të ishte më i normalizuar nëse dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Serbisë, nuk do të kishin të imponuar çështjen e dialogut.

“Raporti në mes dy qeverive nuk është normal dhe nuk do të jenë kurrë dhe arsyeja është sepse thjesht këto bisedime nuk kanë ardhur në mënyrë natyrale por janë të imponuara nga anash”, tha Andriq.

Në konferencën e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) u bë publik edhe raporti i barometrit kosovar të sigurisë (BKS), i cili nxjerrë në dritë trendet e perceptimeve të qytetarëve ndaj politikës së jashtme të Kosovës, partnerëve strategjikë në nivel rajonal e ndërkombëtar dhe dialogun me Serbinë.

Rezultatet e këtij edicioni tregojnë se gati një dekadë pas nisjes të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë – një proces i vështirë, i tejzgjatur e që ka nxitur shumë debate –  nuk ka prodhuar rezultate.

“Kur janë pyetur së kush po përfiton më shumë nga dialogu, rreth 60 për qind të anketuarve ndajnë mendimin se Serbia po përfiton më shumë se Kosova, kur vetëm 15 për qind besojnë se dialogu po i sjellë përfitime Kosovës. Përparimi që Serbia po bën në rrugën e anëtarësimit në BE, ndërsa në të njëjtën kohë Kosova ka shënuar stagnim, si dhe numri i madh i përfitimeve që Serbia ka nxjerrë vazhdimisht nga ky proces janë listuar si faktorë prapa këtij qëndrimi. Sipas tyre, Kosova po bëhet “trampolinë” e Serbisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE kështu duke fituar terren në raport me BE-në”, thuhet në raportin e QKSS për BKS-në.