Debati në Gjakovë për dialogun e Brukselit - Foto: Facebook

Dialogu i Brukselit të Ketë Objektiva të Qarta

Deputetë të Kuvendit të Kosovës nga rajoni i Gjakovës dhe kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari-Lila, ishin panelistë në debatin publik të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ku u diskutua për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohet nën ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel.

Me këtë rast, kryetarja e Komunës së Gjakovës theksoi se në dialogun e Brukselit nuk janë diskutuar tema që kanë ndikim të drejtpërdrejt në jetën e banorëve të këtij rajoni sikur dëmet e luftës të shkaktuara nga Serbia, çështja e të pagjeturve dhe vënia para drejtësisë e të gjithë atyre që shkaktuan krime në këtë komunë.

“Mosadresimi i këtyre problemeve në kuadër të dialogut me Serbinë ka nxitur reagime të vazhdueshme dhe nga më të ndryshmet të qytetarëve, me theks të veçantë reagimet kundër vizitave të pelegrinëve serbë, ngjarje të cilat më vonë po shfrytëzohen nga qeveria dhe nga shteti serb për të dëshmuar kinse në Gjakovë po shkelen të drejtat fetare”, tha Mimoza Kusari-Lila.

Mimoza Kusari-Lila tha po ashtu se Kosova nuk ka strategji të qartë në dialog në raport me Serbinë, prandaj ka mbetur në pozicion mbrojtjeje.

“Sot ne jemi reaktivë në raport me Serbinë, nuk jemi proaktivë. Sot secilin hap përpara e sjell Serbia, nuk e sjell Kosova. Kosova reagon ndaj problemeve që i shkakton Serbia”, tha ajo.

Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa, tha se për dialogun me Serbinë duhet të ketë një konsensus të të gjitha partive politike dhe Serbisë duhet t’i vihen kufizime sidomos për çështjen e të pagjeturve.

Si rezultat të këtij dialogu ai përmendi MSA-në, që sipas tij do të ndikojë direkt në zhvillimin ekonomik të vendit. Po ashtu, deputeti Beqa si rezultat të dialogut të Brukselit përmendi zgjedhjet sipas ligjeve të Kosovës në katër komunat në veri dhe marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve.

Kurse, kolegu i tij nga LDK-ja, Armend Zemaj, tha që ky dialog nuk është aq shumë i dëshirueshëm për asnjë parti politike por është i pashmangshëm për shkak të integrimeve evropiane dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, Driton Çaushi nga Lëvizja Vetëvendosje vlerësoi se marrëveshjet e arritura në këtë dialog po i sjellin veç dëme Kosovës.

“Pasojat e një procesi të bosnjëzimit të Kosovës do ndihen nga secili qytetar I Republikës së Kosovës”, tha Çaushi lidhur me Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndërsa Teuta Haxhiu nga AAK-ja tha se dialogu duhet të ketë objektiva të qarta.

“A duhet të dialogojmë? Kemi qenë për dialog, por a duhet të dialogojmë pa fund dhe pa objektiva të qarta? Jo”, tha ajo.