Dialog për Zhvillim me Bizneset e Zyrtarët

Jahjagën në këto udhëtime do ta shoqërojnë edhe udhëheqësit e odave ekonomike të Kosovës dhe atyre amerikane e gjermane.

Presidentja do të vizitojë sot Klinën, Istogun, Pejën, Deçanin e Junikun.

Jahjaga: Zhvillimi ynë ekonomik varet nga krijimi i një klime të favorshme investimi

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Odës Ekonomik Amerikane dhe Odës Ekonomike Gjermane, fillon sot vizita në disa komuna të Kosovës, me qëllim të përkrahjes së zhvillimit ekonomik lokal dhe përkrahjes së investimeve të huaja në vendin tonë.

Gjatë ditës së sotme, Presidentja Jahjaga do të vizitojë komunat e Klinës, të Istogut, të Pejës, të Deçanit dhe atë të Junikut. Pastaj vizitat e saj do të vazhdojnë edhe nëpër komunat tjera.

Para se të nisej Jahjaga shpjegoi qëllimin e daljes nëpër komuna.

“Vizita ime së bashku me odat ekonomike ka për qëllim adresimin e drejtpërdrejtë të këtyre pengesave për të ndihmuar bizneset që të depërtojnë në Kosovë në përpjekje për të ulur papunësinë dhe për të ngritur kualitetin e jetës në Kosovë,” tha Jahjaga.

Ajo bëri të ditur se sa të jetë Presidente do të angazhohet për zhvillim ekonomik.

“Unë jam e përkushtuar të kontribuoj deri në ditën e fundit të mandatit tim për të krijuar një ambient të favorshëm për investime,” tha Jahjaga.

Para nisjes për Dukagjin folën edhe tre drejtuesit e odave.

“Në Kosovë prioritet i prioriteteve duhet të jetë zhvillimi ekonomik dhe në qoftë se ky prioritet ka mbështetjen nga e para e Republikës së Kosovës, Presidentja Jahjaga, atëherë vërtet për ne si përfaqësues të biznesit është një lehtësi, motivim dhe një dëshmi që Kosova ka ardhmëri dhe zhvillimi ekonomik duhet të jetë prioritet,” tha Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane, tregoi se nëpër komuna Jahjaga bashkë me krerët e odave do të takohet me biznesmenët dhe kryetarët e komunave.

Nismën e Jahjagës e përshëndeti edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermane Albert Matoshi.

“Mua vetëm më mbetet që t’i uroj sukses dhe të shohim direkt me komunat se ku mund të bëjmë, ose ku mund t’i përmirësojmë gjërat dhe me çka ata ballafaqohen konkretisht,” tha Matoshi.

Jahjaga në fillim të vitit të kaluar kishte zhvilluar takime me banorë të komunave kosovare për t’i lutur ata që të mos e braktisin vendin, në kohën kur shumë kosovarë nëpërmjet Serbisë dolën në Hungari me qëllimin për të vazhduar drejt vendeve të fuqishme të BE-së.

http://kallxo.com/jahjaga-fton-qytetaret-e-vushtrrise-te-mos-ikin-nga-vendi/

http://kallxo.com/jahjaga-ikja-nga-kosova-nuk-eshte-zgjidhje/