Dhuruesi i Këpucëve të Zonjës Trump Nuk Merr Vizë Amerikane

Marinko Umicevic, drejtori teknik i fabrikës së këpucëve Bema, tha se ai i ka dërguar një letër ku i kërkon ndjesë Melania Trump për shkak se nuk do të jetë në gjendje të shkojë në ceremoninë e inaugurimit të bashkëshortit të saj në Uashington më 20 janar pavarësisht se pati marrë ftesë në ceremoninë e ëndërruar nga shumë politikanë në të gjithë botën.

“Çdo gjë qe gati; xhaketa, papijoni e madje edhe dhuratat,” tha Umicevic në një konferencë për shtyp të dielën. Ai shtoi se do të kërkojë mënyra të tjera për të dërguar dhuratat që ka përgatitur për familjen presidenciale.

“Do t’ju them se çfarë kam blerë. Për Z. Trump, unë bleva një palë ‘priglavke’ [papuçe tradicionale] me qëndisje dhe një shall me flamurin e Republikës Serbe të Bosnjës dhe të klubit të futbollit të zonës,” tha ai.

“Dhe për Znj. Trump bleva një këmishë nate me qëndisje tradicionale. Një të këndshëm dhe të rehatshëm që të më mbajë mend,” tha Umicevic.

Ai shtoi se ka në plan të bëjë biznese të tjera të lidhura me prodhimin e këpucëve me familjen Trump.

“Vajza e Trump nga martesa e parë ka një fabrikë këpucësh; mendoj të organizoj disa marrëveshje biznesi me të. Udhëtimi për në Amerikë është i gjatë dhe i kushtueshëm, nuk desha të më shkojë rruga dëm,” tha Umicevic.

Gushtin e kaluar, ndërsa gara presidenciale amerikane qe ende në fillim dhe kur shumica e sondazheve favorizonin kandidaten demokrate Hillary Clinton, Bema i dërgoi Melania Trump dy palë këpucë të dizenjuara nga ekspertët më të mirë të fabrikës: një palë këpucë të sheshta me shkumë me memorie si dhe një palë këpucë lëkure me taka të larta.

Ndërsa shumica e europianëve pëlqenin Clinton, shumica e serbëve mbështesnin Trump për shkak të qëndrimit të tij pro marrëdhënieve të mira me Rusinë, aleati i vjetër i Serbisë.

Serbët kanë pakënaqësi ndaj bashkëshortit të Clinton, Bill, i cili qe presidenti demokrat i Shteteve të Bashkuara në vitet 1990 kur forcat e NATO-s të udhëhequr nga amerikanët bombarduan pozicionet serbe në Bosnjë, Kosovë dhe vetë Serbi.

Megjithëse Umicevic nuk e mori vizën për të cilën pati shpresuar, ai tha se ka marrë disa dhurata nga znj Trump në formën e një këmishe dhe një kollareje.

“Këmisha qe tepër e vogël për mua kështu që ia dhashë një gazetari”, tha ai.

Umicevic është gjithashtu këshilltar i Presidentit të entitetit të Bosnjës të dominuar nga serbët, Republika Srpska, Milorad Dodik, i cili gjithashtu nuk arriti të marrë vizë amerikane.

Dodik pretendoi se pati marrë shumë ftesa për ceremoni të ndryshme që po organizohen për inaugurimin e Trump më 20 janar.

Ai aplikoi për dy viza por nuk arriti të sigurojë një vizë zyrtare për shkak se ambasada e SHBA-së shpegoi se ai nuk po udhëtonte në një vizitë zyrtare. Atij iu refuzua gjithashtu edhe aplikimi për një vizë turistike.

“Një gjë është e sigurt, unë nuk do të përdor më pasaportën e Bosnjë Hercegovinës në të ardhmen. Unë do të heq dorë publikisht nga pasaporta ime boshnjake. Do të përdor vetëm pasaportën serbe,” deklaroi i trishtuar Dodik të dielën.